Po dilte nga Shqipëria me 21800 euro të padeklaruara, procedohet 40 vjeçari në Kapshticë
Një 40 vjeçar me iniciale F. D. është proceduar penalisht pasi iu konfiskuan 21800 euro të padeklaruara në Kapshticë.
Sipas njoftimit të policisë, 40 vjeçari ishte duke dalë nga territori i Shqipërisë.
Njoftimi i policisë/ Kapshticë
Policia Kufitare godet një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Sekuestrohen 21 800 euro, procedohet penalisht 40-vjeçari që nuk i deklaroi.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kuadër të kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një automjet tip "Opel", me drejtues shtetasin F. D., 40 vjeç, banues në Selanik, Greqi.
Gjatë kontrollit, në çantën e dorës së 40-vjeçarit u gjetën 21 800 euro që ai nuk i kishte deklaruar siç përcaktohet në ligj. Shuma monetare u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. D.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.