"Plumb i Artë" 8 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Pikënisja arrestimi i Nuredin Dumanit
SPAK njofton se tetë grupe të strukturuara kriminale veprojnë në shtrirjen gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.
Këta grupe kriminale kanë një shkallë shumë të lartë organizimi dhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore: Vrasje, vjedhje me dhunë, shkatërrim prone me lëndë plasëse.
Bashkëpunimi i SPAK dhe policisë çoi në mbledhjen e provave dhe identifikimin e 32 anëtarëve të këtyre grupeve kriminale për arrestimin e të cilëve u ndërmor një operacion i gjerë në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë.
Prej orëve të para të mëngjesit të 19 majit 2022 Forcat RENEA mësynë banesat, hotelet apo godinat ku dyshohet se ishin fshehur anëtarë të këtyre grupeve duke arritur të ekzekutojnë 9 urdhërarreste, 9 të tjera u ekzekutuan në burg ndërsa 14 të tjerë arritën të largoheshin.
Karakteristikë e këtyre grupeve ishte dhuna e egër që ata tregojnë në kryerjen e krimeve me pasoja shumë të rënda për të cilat ishin gati të bashkëpunonin por dhe të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë.
"Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë", informon kreu i SPAK, Arben Kraja në një konferencë për median krah drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Operacioni nisi menjehere pas arrestimit të Nuredin Dumanit. Drejtuesi i SPAK dhe i policisë së Shtetit u rezervua për të dhënë emrat e personave në kërkim ndërsa gazetarët para konferencës për median informuan se mes emrave që u ikën sërish policisë janë: Suel Çela, Talo Çela e Ervis Martinaj.
Ekzekutohen 18 nga 32 urdherarreste
18 persona anëtarë të këtyre grupeve të strukturuara kriminale janë identifikuar
Në kuadër të operacionit të koduar "Golden Bullet" (Plumbi i artë) i ndërmarrë sot (19 maj 2022) janë ekzekutuar 18 nga 32 urdherarrestet e firmosura dhe miratuara me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 17 maj 2022. Mbeten ende pa u ekzekutuar 14 të tjera.
9 masat e sigurimit që janë ekzekutuar në burg
1. Nuredin Dumani, 35 vjeç
2. Henrik Hoxhaj, 40 vjeç
3. Altin Ndoci, 35 vjeç
4. Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç
5. Skerdi Tasi, 31 vjeç
6. Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç
7. Ilirian Feci, 47 vjeç
8. Enver Diva, 43 vjeç
9. Besjan Xhixha, 31 vjeç
Të arrestuarit sot (19 maj 2022)
9 masa sigurimi “Arrest në burg” në ngarkim të shtetasve, të cilët u arrestuan gjatë operacionit:
1. Ardjan Uzuni, 56 vjeç
2. Leonard Palushi, 41 vjeç
3. Gentian Sharra, 48 vjeç
4. Fatos Gosa, 54 vjeç
5. Florenc Çekrezi, 35 vjeç
6. Petrit Qoli, 51 vjeç
7. Agron Qoli, 52 vjeç
8. Agron Qafa, 48 vjeç
9. Asllan Plaku, 30 vjeç
Pikënisja arrestimi i Nuredin Dumanit
Operacioni i koduar “Golden bullet”, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”, që u arrestua më 29 mars 2022 tha drejtori i policisë së shtetit, Gledis Nano në konferencë. Nga ana e tij kreu i SPAK nuk dha informacion nëse Dumani kishte marrë statusin e të penduarit apo jo.
Operacioni
Operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë dhe u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.
18 dosje ne NJE
Dosjet e 18 procedimeve penale të ndryshme dhe u bashkuan në një procedim të vetëm me procedimin nr.75/2022, regjistruar më datë 14 prill 2022. Dhe në vijim të hetimeve, janë zbuluar të dhëna të rëndësishme lidhur me disa vrasje të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, vrasje të mbetura në tentativë, krijimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, vjedhje me dhunë dhe armë, vepra dhune, shkatërrim prone me lëndë plasëse.
Kontrollohen banesat e hotelet e 28 shtetasve
Po kështu me vendimin 18.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është autorizuar kontrolli i banesës dhe i vendeve në pronësi të 28 shtetasve.
Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.