Plehrat derdhen rrugëve/ Impianti që s’u bë kurrë në Vlorë, edhe pse premtohet prej 4 vitesh

Impianti i përpunimit të mbetjeve në Vlorë sipas premtimit të autoriteteve duhet të ishte tanimë në punë prej më shumë se një viti. Por kanë kaluar disa vite prej premtimit, godina është ngritur, ndërsa nuk është  vënë asnjë ditë në punë. Mbetjet e Vlorës ende grumbullohen nëpër fusha mbetjesh duke sjellë një ndotje alarmante.

4 vite më parë u lancua si projekt ndërtimi i landfilldit të Sherishtës në Vlorë.

Impianti i përpunimit të mbetjeve të bashkisë Vlorë dhe Selenicë,  do ti jepte fund trajtimit të mbeturinave.

Afati i realizimit të punimeve ishte brenda 3 viteve, teksa tashmë ai duhet të ishte vendosur në funksion.

Por këto janë pamjet e impiantit sot!

Ai nuk është vendosur në punë asnjë ditë!

Mbetjet vijojnë të depozitohen në Lagjen “24 Maji”.

Banorët pranë fushës së mbetjeve shprehen të shqetësuar për situatën.

“Është një volum shumë i madh mbeturinash. Ne nuk kemi as kazanë plehrash, as drita, as rrugë, jemi shumë keq. Plehrat, ja shihni vetë, aty i hedhin”, thekson banorja.

“Ai tymi atje që del nga djegia e plehrave, vete tek familjet dhe është karbon dhe plot lëndë helmuese”, deklaron banori.  

“Gjendja është dhimbshme. Jam bërë shumë pishman që kamë qëndruar këtu në këtë shtëpi, por s’kam ku të vete tani në këtë moshë. Ja shikoi, të gjitha shtëpitë janë bosh”, shprehet një banore.

Ende nuk dihet se kur do do të jetë gati Impianti i përpunimit të mbetjeve në Vlorë, ndërsa projekti u prezantua dikur me shumë bujë!

edi ruçi vlora plehra mbetjet

EMISIONET