Plazh pa roje bregdeti, pushuesit në Vlorë të shqetësuar për sigurinë në bregdet

Sezoni turistik ka nisur, por në kullat e vrojtimit në bregdetin e Vlorës nuk ka asnjë vrojtues plazhi. Pushuesit vendas dhe të huaj e shikojnë me shqetësim këtë situatë në kushtet kur shpesh në plazhe janë shënuar raste të mbytjes së personave si pasojë e dallgëve, apo problemeve shëndetësore.

Sezoni i plazhit ka nisur dhe pushuesit e parë i janë drejtuar bregdetit, ndërkohë që kullat e vrojtimit në Vlorë janë jashtë funksionit.

Përparim Kamberaj, trajner i licensuar i vrojtuesve të plazhit thotë se ky shërbim është i domosdoshëm në shpëtimin e jetës së pushuesve që frekuentojnë plazhin.

"Duhet të jenë pasi ekzistojnë një Federatë e Vrojtuesve të Plazhit, ekziston një qendër trajnimi për vrojtuesit e plazhit dhe një ligj që detyron të gjitha subjektet dhe të gjithë administratorët e plazhit që të ofrojnë sigurinë e jetës."

Sipas tij ky profesion në Shqipëri thuajse është inekzistent ndaj edhe vrojtuesit shqiptarë shpesh mbeten pa punë ose largohen jashtë vendit.

Pushuesit vendas thonë se mungesa e vrojtuesve të plazhit u krijon pasiguri.

"Nuk ekzistojnë fare. Nuk e di kush e organizon bashkia, këto…"

Edhe të huajt janë i të njëjtit mendim.

"Unë vij nga Ukraina dhe është hera ime e parë në Vlorë, dhe hera e dytë në Shqipëri. Plazhi i Vlorës, dhe bulevardi më pëlqen. Nuk kam parë asnjë vëzhgues plazhi, as në kullë as në bregdet. Sigurisht që ndihem keq, pasi unë kam tre fëmijë dhe do të ishte më e sigurtë nëse do të kishte roje".

Bashkia e Vlorës ka deklaruar se në 230 stacioneve të  plazhit që janë marrë në administrim nga biznesi u është lënë detyrë punësimi i vrojtuesve.

Për plotësimin e kësaj detyere bizneset do të kontrollohen nga policia bashkiake.

EMISIONET