Po vjen nga Dubai Dashnor Dumani, a do flasë dhe ky siç bëri Nuredini? Në avion me Dumanin dhe Armis Stafa, akuzuar për pastrim parashë

Po vjen nga Dubai Dashnor Dumani, a do flasë dhe ky siç bëri Nuredini? Në avion me Dumanin dhe Armis Stafa, akuzuar për pastrim parashë

Dashnor Dumani, njëri nga pjesëmarrësit në masakrën e 28 Dhjetorit 2018 në Bradashesh, ku mbetën të vrarë tre persona, është deportuar sot nga Emiratet e Bashkuara Arabe në drejtim të Shqipërisë.

Së bashku me Dumanin drejt Shqipërisë po vjen dhe Armis Stafa, i cili akuzohet nga SPAK për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Stafa rezulton të jetë kushëri i vëllezërve Franc dhe Hajdar Bako dhe në Shqipëri administron disa nga bizneset e kësaj familjeje.

Kujtojmë se Dashnor Dumani, është vëllai i Nuredin Dumanit, bashkëpunëtorit kryesor të SPAK, i cili ka folur për disa krime, duke nxjerë dhe vëllain e tij, Dashnorin, si pjesëmarrës në vrasjen e Enea Alibej me nofkën “Tarzani”, Arben Dylgjerit dhe turkut Erdal Duranay.

Ende është e paqartë nëse Dashnor Duman do pranojë të flasë ose jo për krimet e kryera, njësoj siç bëri vëllai i tij, Nuredin Dumani.

Veç kësaj akuze të rëndë, Dashnor Dumani, akuzohet nga SPAK dhe për “Vjedhje me armë” të ndodhur në muajin Prill 2019 në aeroportin e Rinasit, ku u vodhën gati 4 milion euro.

Transferimi i tyre nga parajsa e lindjes së mesme në Shqipëri, është vijim i marrëveshjes të kryer mes dy shteteve, ku fillimisht nga Dubai në vendin tonë u deportuan Plaurend Dervishaj, Julian Meçaj dhe më pas rastet vijuan me deportimin e Florenc Çapjas dhe ditën e sotme me dy persona të tjerë si Dashnor Dumani dhe Armis Stafa.

Të gjithë këta persona kanë çështje të hapura në Prokurorinë e Posaçme. Ndërsa ka ende Shqiptarë të tjerë që po kërkohen nga Shqipëria dhe po gjejnë strehim në Dubai.

Dëbimi i tyre drejt Shqipërisë, vjen në një moment kur në Gjykatën e Posaçme, po zhvillohen procese gjyqësore për një seri krimesh të ndodhura në segmentin rrugor Durrës, Kavajës, Rrogozhinë,Peqin dhe Elbasan.

Disa prej autorëve të këtyre krimeve janë arrestuar në Shqipëri ndëra disa të tjerë janë arrestuar në Belgjikë dhe Holandë.

EMISIONET