Përmbytjet në Shkodër/ Uji po tërhiqet po shtëpitë mbeten të pabanuara
Banesa e Ismail Veliaj në Bërdicë, u bë pothuajse e pabanuar, ndërsa tanimë familja ka marrë shtëpi me qira tjetër. Ata kanë frikë se nuk do të dëmshpërblehen kurrë.
Mundi i një jete u shkatërrua në pak minuta. Ora News ishte në një prej banesave në fshatin Bërdicë të Shkodrës.
Uji vërshoi me shpejtësi drejt banesës së Ismail Veliaj, aq sa nuk ju la kohë të merrnin masa për të shpëtuar thuajse asgjë.
Muret e banesës së familjes në njësinë administrative Berdicë i kanë ende gjurmët e ujit që ju hyri brenda.
Të dorëzuar përballë kësaj situate, sot kjo familje është detyruar të zhvendoset në Shkodër për të jetuar, atje ku kryefamiljari ka marrë një banesë me qira.
Në Berdicë ashtu si në fshatrat e tjerë të nënShkodrës përmbytja e nëntorit shkaktoi dëme në banesa, biznese, bujqësi dhe blegtori.
Frika më e madhe e banorëve është dimri i gjatë që kanë përpara dhe mundësitë që përmbytjet të rikthehen sa herë ka reshje të dendura që pasohen me hapjen e portave të HEC-eve.
Fatura financiare e dëmeve është e madhe dhe shumë familje i druhen faktit se kurrë nuk do të dëmshpërblehen, pasi ende edhe sot nuk kanë marrë kompensimin e përmbytjeve të 2010 dhe 2018-es.