"Për të ardhur keq që ka akoma sufllaqexhinj e tortaxhinj", Gent Bejko: Në 2026-ën prindërit e mi në mes të Tiranës kanë ujë me orar, politika bën vetëm rotacion
Aktori dhe regjisori i njohur Gent Bejko, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin "Ora e Betit" në Ora News, ka ndarë indinjatën e tij të thellë për situatën aktuale në Shqipëri, duke ironizuar premtimet politike dhe duke sjellë si shembull faktin se prindërit e tij në mes të kryeqytetit ende vuajnë nga mungesa e ujit të rrjedhshëm 24 orë në ditë.
" Në fjalim unë u gjenda, kisha dy-tre ditë në fakt që shkoja tek protesta dhe i shikoja nga afër domethënë, i shikoja nga afër rininë, qytetarinë që ndodhej në atë protestë.
Edhe sigurisht që ti ke një lloj frymëzimi dhe ne kemi shumë gjëra për të thënë, por nuk ishte e kollajtë që të përqëndroje mendimet të cilat t'i kërkojnë aty për aty.
Më thanë "thuaj dy fjalë", e kupton? Miqtë e mi thanë "thuaj dy fjalë", mos thashë unë jam i papërgatitur. Dhe gjithçka që më buroi, më buroi nga shpirti.
Pra nuk është se kisha një skenar të përgatitur siç mund të mendojë ndokush apo shfrytëzova aftësitë e mia aktorese.
Janë shumë gjëra sepse shpesh herë ne pra, ne që kemi ikur paragjykohemi sikur kemi ikur dhe kemi braktisur atdheun.
Por faktikisht ne jemi sytë dhe mendja që ndodhet tashmë jashtë dhe dashur pa dashur ne jemi gjithmonë të lidhur me vendin tonë, me mëmëdheun më saktë, kjo me atdheun.
Dhe unë sigurisht që do jem gjithmonë i lidhur me vendin tim sepse tek e fundit aty jam lindur, aty jam rritur dhe kulturën e atij vendi kam marrë për ta përcjellë në botën e jashtme sot, si shumë e shumë njerëz të tjerë të fushave të ndryshme në të cilat operojnë.
Kështu që, në qoftë se më pyet çfarë na dhemb, na dhemb gjithçka. Na dhemb ajo për shembull që në 2026-ën në pallatin e prindërve të mi është ujë me orar tre herë në ditë.
Pra për të bërë një dush duhet të çohesh në gjashtë të mëngjesit, ose të ruash drekën, ose të ruash darkën.
Dhe po flasim për në mes të kryeqytetit dhe nuk po flasim për një zonë ku nuk ka shkuar ndoshta drita elektrike, që kjo pastaj, edhe kjo hap diskutim.
Po jemi në 2026-ën, kemi dëgjuar shumë premtime, dëgjojmë këtë "do t'ju fus në Europë, unë do t'ju fus në Europë", në një kohë që neve jemi europianë në gen dhe nuk ka për të na futur njeri.
Ndoshta ne duan të na fusin në Bashkimin Europian, kjo është tjetër gjë. Po jo do të futemi në Europë.
Ne jemi pjesë e Europës, ne jemi brenda Europës. Pra dhe kur shikon këtë rotacionin 35 vjeçar dhe t'i shtosh edhe 45 vjet të tjera të regjimit komunist, sigurisht që ti do indinjohesh.
Sepse ti e kupton që ka pasur gjithmonë vetëm rotacion, nuk ka pasur asnjëherë ndryshim sistemesh. Është bërë sikur ka pasur ndryshim sistemesh, por ka pasur vetëm rotacion dhe kjo lloj rrote i ka sjellë njëri pas tjetrit dhe thjesht kanë ndërruar vendet", u shpreh Gent Bejko.
Ndiqni emisionin e plotë:
