Plori: Globalizmi po ngushton diferencat në futboll, Maroku është pretendent kryesor
Trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori ka deklaruar në emisionin "Ora e Botërorit" në Ora News se globalizmi ka rritur ndjeshëm kualitetin e skuadrave aziatike dhe afrikane, duke veçuar Marokun si një nga pretendentët kryesorë pas fitores ndaj Holandës.
"Mendoj se globalizmi në futboll po e tregon se ka shumë ndryshime dhe duke pasur këto ndryshime, diferencat janë ngushtuar tepër, janë ngushtuar goxha. Shohim ekipe nga Azia të cilat kur përballen me skuadrat europiane kanë një ballafaqim shumë dinjitoz.
Pra, vetëm të përmendësh Japoninë me Brazilin në ndeshjen e mbrëmshme, mendon se sa janë ngushtuar diferencat. Po ashtu dhe ekipet afrikane, të cilat këto vitet e fundit lojtarët afrikanë po luajnë në skuadrat më të mira të botës dhe duke luajtur në ato skuadra, kanë rritur shumë kualitetin dhe besimin e tyre.
Duke u rritur besimi, e transmetojnë dhe në ekipet kombëtare, ku paraqitja e tyre jo vetëm se po bëjnë një ndeshje të mirë siç e kanë bërë në botërore të tjera, por po tregojnë se nga ndeshja në ndeshje po rriten, autoriteti rritet, përgjegjësia e çdo sportisti. Dhe një ndër këto skuadra është edhe Maroku, i cili për mendimin tim është një skuadër ku me fitoren dje kundër Holandës them se është një ndër pretendentët kryesorë",u shpreh Plori.

