Pas Pashkës ikin emigrantët/ Fluks në pikat kufitare me Greqinë, Kapshtica me sportele maksimale
Festa e Pashkës ktheu qindra mijëra emigrantë në vendlindje, kryesisht nga Greqia. Duke nisur nga e hëna ata i janë drejtuar vendit ku punojnë dhe jetojnë. Në pikat kufitare të Kapshticës, Qafës së Thanës dhe Kakavijës, mijëra qytetarë kanë dalë në 24 orët e fundit nga Shqipëria.
Emigrantët të cilët kaluan festën e Pashkës në atdhe kanë nisur këtë të hënë të kthehen në vendin fqinj aty ku jetojnë dhe punojnë.
Fluksi ka qenë i lartë gjatë paradites së të hënës, duke i detyruar autoritetet tona kufitare në Kapshticë të shtojnë numrin e sporteleve dhe personelin e shërbimit në dalje nga territori ynë.
Pala shqiptare po punon me 5 sportele në dalje nga vendi ynë në drejtim të vendit fqinj dhe 3 sportele janë hapur në hyrje.
Autoritetet e palës sonë kufitare bëjnë me dije se edhe pala greke po punon me numër maksimal sportelesh, çfarë ka sjellë lëvizjen e shpejtë dhe pa vonesa të mjeteve në të dyja anët e kufirit.
Për personat e dyshuar, policia greke kryen edhe procedurën e verifikimit të shenjave të gishtave.
Mjetet në tokën shqiptare janë të vendosura në 4 korsi në dalje, ndërkohë që ka fluks mjetesh edhe në tokën neutrale.
Me datën 16 prill në Kapshticë kanë hyrë 1619 shtetas dhe kanë dalë 2123, ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë 2190 dhe kanë dalë 1735 shtetas, ndërkohë në Kakavijë kanë hyrë 1978 dhe kanë dalë 2309 persona.