PAMJET/ Policia "bën namin", bllokon 11 mjete lundruese, gjoba marramendëse drejtuesve

Monitorim intensiv i hapësirës detare, nga toka dhe deti, për të garantuar sigurinë e pushuesve.

-Nga Dhërmiu në liqenin e Komanit, bllokohen 11 mjete lundruese (4 Jet Ski, 1 skaf, 1 gomone dhe 5 motovarka artizanale), pasi u konstatuan në paligjshmëri. Drejtuesit e këtyre mjeteve lundurese u ndëshkuan me masa administrative që varionin nga 10 000 deri në 200 000 lekë të rinj.

-Në Durrës, kapiteni i një motopeshkarexhe libiane, u ndëshkua me masë administrative 300 000 lekë të rinj.

Monitorimi intensiv i hapësirës detare dhe kontrolli i mjeteve lundurese, vijojnë.

Shërbimet e Policisë Kufitare në të gjithë vendin, në zbatim të planit të masave për kontrollin e vazhdueshëm përgjatë vijës bregdetare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, kanë vijuar monitorimin e zonave ku lëvizin mjetet lundruese, për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit, si dhe për verifikimin e dokumentacionit që nevojitet për drejtimin e tyre.

✅Në Dhërmi, në Durrës dhe në Shëngjin shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar 3 mjete lundruese Jet Ski që lundronin në zonën e përcaktuar për pushuesit. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masë administrative nga 100 000 lekë të rinj secili.

✅Në Palasë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar 1 tjetër mjet lundrues Jet Ski, pasi pronari i këtij mjeti, e ushtronte aktivitetin e dhënies me qira të mjeteve lundruese, pa u registruar në organet kompetente.

✅Gjithashtu në Dhërmi, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar me masë administrative 20 000 lekë të rinj pronarin e një mjeti lundures skaf, pasi nuk dispononte dokumentacionin përkatës për të dalë në det. Ndërkaq, në Radhimë, Vlorë, këto shërbime kanë ndëshkuar me masë administrative 100 000 lekë të rinj, pronarin një mjeti lundrues gomone, pasi ishte bregëzuar në zonë të ndaluar, pranë vijës bregdetare të plazhit.

✅Shërbimet e Policisë Kufitare të Durrësit kanë ndëshkuar me masë administrative 300 000 lekë të rinj, kapitenin e një motopeshkarexhe libiane, pasi u largua nga porti, pa lajmëruar kapitenerinë detare.

✅Shërbimet e Policisë Kufitare të Shkodrës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave, kanë vijuar kontrollet në liqenin e Komanit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve dhe turistëve, që përdorin mjete lundruese për turizëm ditor.
Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 5 varka artizanale dhe kanë ndëshkuar administratorët e tyre, me masë administrative nga 10 000 lekë të rinj secili.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë në qarqe, do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, liqenore dhe në atë lumore, me qëllim verifikimin e dokumentacionit të mjeteve lundruese, përcaktimin e sigurisë së këtyre mjeteve lundruese që përdoren nga qytetarët dhe nga turistët, për turizëm ditor, si dhe për zbatimin e rregullave të lundrimit, nga përdoruesit e këtyre mjeteve.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që për çdo rast paligjshmërie që lidhet me përdorimin e mjeteve lundruese, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke ju garantuar reagim të shpejtë dhe ligjor.

EMISIONET