Lufta për të tretin/ Francë-Angli kërkojnë ngushëllimin pas ëndrrës së humbur për finalen

Franca dhe Anglia do të përballen këtë të shtunë për vendin e tretë të Kupës së Botës, në një duel që vjen pas zhgënjimit të eliminimit në fazën gjysmëfinale.
Përballja për medaljen e bronztë shihet shpesh si një sfidë ngushëllimi, pasi të dyja skuadrat kishin synime më të mëdha dhe objektivi kryesor ishte finalja e turneut. Megjithatë, në lojë mbeten edhe përfitimet financiare, me diferencën mes vendit të tretë dhe të katërt rreth 2 milionë euro.
Sipas shpërndarjes së FIFA-s, skuadra që triumfon në këtë përballje do të përfitojë rreth 29 milionë euro, ndërsa humbësi rreth 27 milionë euro. Përveç aspektit financiar, sfida mund të ndikojë edhe në renditjen e FIFA-s.
Trajnerët e të dyja skuadrave pritet të bëjnë ndryshime në formacion, duke u dhënë mundësi lojtarëve që kanë pasur më pak minuta gjatë turneut.
Për Anglinë, trajneri Thomas Tuchel pritet të vazhdojë në drejtimin e skuadrës, ndërsa për Francën situata e Didier Deschamps mbetet e pasigurt, me emrin e Zinedine Zidane që përmendet si një alternativë e mundshme.
Kjo ndeshje do të ketë rëndësi edhe për Kylian Mbappé, i cili synon të shënojë për të vijuar garën për Këpucën e Artë të Botërorit.
Edhe pse vjen në një moment zhgënjimi, emri dhe historia e dy kombëtareve premtojnë një përballje spektakolare. Francë-Angli mbetet një duel klasik i futbollit europian, edhe pse këtë herë zhvillohet në një skenar që asnjëra prej skuadrave nuk e kishte imagjinuar.
Sfida për vendin e tretë do të luhet të shtunën në orën 23:00.

