Operacioni “Siguria” në Shkodër, arrestohen 3 persona, sekuestrohen a*më, k*kainë dhe...

Shkodër – Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “SIGURIA”, në kuadër të goditjes së rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Si rezultat i operacionit janë arrestuar në flagrancë tre shtetas, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sasi të dyshuara të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa.
Sipas Policisë, operacioni u zhvillua nga shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Të arrestuarit janë:
– E. K., 42 vjeç, banues në Shkodër;
– A. I., 18 vjeç, banues në Shkodër;
– I. A., 18 vjeç, banues në Londër.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 42-vjeçarit E. K., i cili ndodhej në ambientet e një lokali në lagjen “Vasil Shanto”, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, si dhe një dozë të dyshuar kokainë.
Në momentin e kontrollit, së bashku me të ndodheshin edhe dy të rinjtë A. I. dhe I. A., të cilët u arrestuan për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Ndërkohë, gjatë kontrollit ndaj A. I. u gjet dhe u sekuestrua edhe një cigare me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

