Operacioni ndaj ndërtimeve pa leje në Sarandë, lirohen edhe prej të ndaluarve! Gjykata lë në burg vetëm shefin e Komisariatit, Gëzim Bashllari

Dy persona të tjerë të arrestuar në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Sarandës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) janë liruar nga gjykata ditët e fundit, duke e çuar në 13 numrin e personave të lënë të lirë nga masa e arrestit me burg në këtë dosje.
Inspektori i policisë, Robert Culli, i cili ndodhej në paraburgim prej 15 majit nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, është liruar me vendim të Gjykatës së Apelit. Kjo e fundit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, duke vendosur “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Ndërkohë, Mirdar Koshi, i cili u vetëdorëzua më 15 korrik pasi akuzohet për “ndërtim të paligjshëm”, është lënë nga Gjykata e Sarandës në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Nga 14 personat e arrestuar deri tani në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara më 15 dhe 25 maj nga AMP dhe Prokuroria e Sarandës, në qeli me masën “arrest në burg” vijon të qëndrojë vetëm ish-shefi i Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari.
Bashllari u arrestua më 15 maj nga AMP dhe dy shkallët e gjyqësorit kanë vendosur të lënë në fuqi masën e arrestit në burg ndaj tij.
Ndërkohë, të gjithë personat e tjerë të proceduar në këtë dosje janë liruar me vendime të ndryshme të gjykatave, ndërsa vijojnë të mbeten në kërkim dy persona të fundit të proceduar në kuadër të hetimeve.

