MARATONA E BEBEVE NË POGRADEC/ Promovon vlerat familjare dhe stilin e jetesës aktive që në fëmijëri
Pogradeci mirëpriti edicionin e 4-t të “Maratonës së Bebeve”, ku protagonistë ishin fëmijët e moshës 1 deri në 3 vjeç. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Maratonës Ndërkombëtare Enkelana, që këtë vit organizohet për herë të 5-të me sportistë nga 40 vende të botës.
Garë, emocione dhe shumë buzëqeshje ka dhuruar edicioni i 4-t i "Maratonës së Bebeve" në Pogradec.
Një aktivitet i kthyer tashmë në traditë, i cili lindi si një nismë sportive lokale dhe rikthehet çdo vit, duke sjellë momente të paharrueshme për familjet dhe qytetin.
Protagonistë të kësaj gare simbolike ishin më të vegjlit, fëmijët e moshës 1 deri në 3 vjeç, të cilët me hapat e tyre të parë dhuruan spektakël të vërtetë për të pranishmit.
Në maratonë morën pjesë vogëlushë nga Pogradeci, por edhe fëmijë të familjeve pushuese që po kalojnë pushimet verore në qytetin liqenor.
Më shumë sesa një garë, "Maratona e Bebeve" synon të promovojë vlerat familjare, stilin e jetesës aktive dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete sportive e argëtuese që në moshë të hershme.
Prindërit, të emocionuar dhe krenarë, ndoqën nga afër çdo hap të "kampionëve" të tyre të vegjël, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë, plot dashuri, entuziazëm dhe duartrokitje.
SINKRON: Prindërit pjesëmarrës
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Maratonës Ndërkombëtare "Enkelana", e cila këtë vit organizohet për herë të 5-të në Pogradec, duke mbledhur sportistë nga 40 vende të ndryshme të botës dhe duke e shndërruar qytetin në një destinacion të rëndësishëm të sportit dhe turizmit gjatë sezonit veror.

