Sulmohet me levë një dyqan i One Albania në Tiranë

Një incident është regjistruar ditën e sotme në Tiranë, ku një person ka sulmuar me levë një pikë shitjeje të kompanisë celulare One Albania.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një prej dyqaneve të kompanisë në kryeqytet. Nga pamjet e siguruara, duket se xhamat dhe pjesë të tjera të ambientit kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme si pasojë e goditjeve.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Nuk dihen ende motivet e sulmit, ndërsa nuk ka informacion zyrtar nëse autori është identifikuar apo shoqëruar nga policia.
Ngjarja vjen në një moment kur One Albania ka qenë shpesh objekt diskutimesh dhe ankesash nga qytetarët për çështje të ndryshme që lidhen me shërbimet e ofruara. Debatet u rikthyen së fundmi edhe pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja të kompanisë më 1 maj 2026.
Pritet që autoritetet të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen dhe motivet që çuan në sulmin ndaj pikës së shitjes./JOQ

