Nga zbulimi i IP për vrasjen e Edmond Papas tek tritoli i policit në Shkodër - Si lindi operacioni kundër kamerave?
Po mbushen dy javë që Policia e Shtetit, ka ndërmarë një aksion në çdo qark për shkuljen e dhjetëra kamerave të cilësisë së lartë, që janë vendosur nga eksponentë të grupeve kriminale në qytet ku ata operojnë dhe kanë bazat.
Një numër prej 185 kamera është raportuar nga policia se është shkulur nga shtyllat dhe vendet e tjera ku ato ishin instaluar. Por aksioni ende nuk ka përfunduar, pasi në qyetet kryesore nuk ka deri më tani asnjë aksion.
Përtej kësaj që raporton policia, në disa qarke kamerat janë kthyer sërisht tek pronarët, duke bërë që ato të instalohen në banesat ku ata jetojnë, por jo në vendet ku nuk ndodhet vendbanimi i tyre.
Ky është aksioni i parë dhe i vetmi në llojin e vetë që Policia e Shtetit, gjatë këtyre viteve ndërmer një aksion të tillë, duke shkulur kamerate vendosura në mënyrë të paligjshme.
Po si lindi e gjitha kjo nismë, që filloi nga Drejtoria e Qarkut të Shkodrës, dhe u shtri edhe në 6 qarqe të tjera.
Vala e aksionit “Sytë e Krimit” u nis në Shkodër, fill pas vendosjes së një sasie tritoli në banesën e oficerit të krimeve, Pëllumb Shpati në lagjen Dobraç. Por në fakt policia ishte vënë në dijeni për mbikqyrjen e rrugëve të qyteteve nga eksponentët e krimit, kohë më parë, kur u bë shpallja në kërkim e Landi Muharremit dhe në Tiranë u realizua vrasja e Edmond Papas.
Kjo pasi njëri nga personat e arrestuar tregoi se lëvizjet e Edmond Papës, i mbikqyrnin edhe përmes disa kamerave të instaluara në Sarandë dhe Tiranë.
Ngjarja e vendosjes së tritolit në banesën e policit, ndodhi pikërisht në 13 Janar 2023, ditën e themelimit të Policisë së Shtetit. Policia kriminale e qarkut të Shkodrës, nisi hetimet për zbulimin e autorëve që kishin vendosur, tritolin në banesën e punonjësit të Policisë.
Por megjithëse rruga ishte e mbushur me kamera të cilësisë së mirë, në ditët e para policia nuk mundi të gjente imazhet e siluetës së personit që kishte lëvizur në rrugë dhe vendosur tritolin.
E pafuqishme në këtë drejtim për gjetjen e imazheve dhe duke hasur kundërshtinë e disa eksponentëve kriminalë, për të dorëzuar NVR-të dhe IP-të e telefonave, Drejtori i Qarkut Shkodër, Ervin Hodaj, urdhëroi vartësit shkuljen e çdo kamera të paligjshme, që ishte instaluar në shtyllat e rrugëve të qytetit dhe në zonat strategjike që ata kontrollojnë.
Aksioni u krye fillimisht në dy lagjet që kontrollohen nga grupi i Licëve dhe Bajrat në Shkodër. Aksioni, i pari në llojin e vetë deri më tani, u mbështet dhe nga qytetarët Shkodranë dhe opinioni në tërësi.
Ndaj dhe Policia urdhëroi shtrirjen e kësaj nisme duke evidentuar çdo personazh të botës së krimit, zonën ku ai banon dhe numrin e kamerave të instaluara jashtë zonës së tij të banimit.
Shkulja e kamera vijoi në qarkun e Durrësit, ku në zonat e Plaurent Dervishaj, Landi Muharremit,Avdylajt e Shijakut u hoqën dhjetëra kamera sigurie të markave të ndryshme.
Operacioni vijoi në Vlorë dhe Korçë. Në qarkun e Korçën, policia shkoi dhe i shkuli kamerat e sigurisë që ishin instaluar në pemët e një lulishteje.Këto kamera i përkisnin pikërisht Arben Berberit, babait të Meard Berberit ose siç njihet ndryshe me nofkën “Koro”.
Meard Berberi, është personi i proceduar që së bashku me Anterio Kaloshin, dyshohet se në 1 gusht 2020, lëshuan 82 plumba drejt hotel “Voloreka”, pasi tentonin të vrisnin Johan Muçllarit, djalin e Jetmit Muçllarit.
Mes emrave të tjerë në Pogradec, policia i shkuli kamerat dhe Mariglen Topuzit, një personazhi tjetër të proceduar për këtë ngjarje dhe është pjesë e grupit të Meardi Berberit dhe Ilir Berberit alias “Liri i Rushkës”. Mes personave që ju shkulën lamerat janë Erjon Llapushi, Ligor Romançka alias “Golja”, Romeo Starovecka alias “Arushka”.