Nga Indonezia në tryezën e shqiptarëve: U importua 16.8 milionë kg vaj palme , Dogana fsheh emrat e kompanive

Çfarë po konsumojnë realisht shqiptarët kur blejnë djathë, gjalpë, qumësht apo akullore?

Një dokument zyrtar i siguruar nga Tv Ora News zbulon përmasat alarmante të importit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në Shqipëri.

Sipas Drejtorise së Përgjithshme të Doganave në Shqipëri nga viti 2020 deri ne prill 2026 janë importuar mbi 16.8 milionë kilogramë vaj palme dhe rreth 7 milionë kilogramë qumësht pluhur.

Nëse deri më sot ka pasur tentativa për të justifikuar këto importe masive me përdorimin e këtij produkti në industrinë e sapunëve apo kozmetikës, kodet tarifore të zbardhura fshijnë çdo alibi: e gjithë kjo sasi ka përfunduar në stomakun e shqiptarëve, për konsum njerëzor.

Dy vendet kryesore nga te cilat importohet me shume vaji i palmës jane Indonezia dhe Malajzia. Varesia në rritje e industrisë ushqimore nga kjo lëndë e parë e lirë eshte shqetësuese. Mjafton të kujtojmë se gjate vitit 2025 janë importuar 3 milion kg vaj palme, ndërsa vetem gjatë 4 muajve të pare të 2026 ne Shqipëri ështe importuar mbi 1 milion e 800 mijë kg .

Ky produkt, i njohur për koston e tij jashtëzakonisht të ulët dhe efektet e debatueshme mbi shëndetin kardiovaskular, përdoret masivishht si zëvendësues i yndyrës shtazore në produktet e qumështit dhe ëmbëlsirat tona të përditshme.
Nga ana tjetër, për qumështin pluhur, burimi kryesor i importit rezulton Ukraina me më shumë se 2.6 milionë kg.

Dogana Shqiptare ka zgjedhur të fshehë emrat e 10 kompanive kryesore që kanë sjellë këto ngarkesa, duke ngritur dyshime për mbrojtjen e interesave të oligarkëve të bulmetit, të cilët mund ta përdorin këtë vaj pa e deklaruar në etiketë.

Dogana Shqiptare nuk iu përgjigj as pyetjes nëse ka evidentuar raste konkrete mashtrimi me vajin e palmës dhe qumështin pluhur.

Në përgjigjen zyrtare, institucioni nuk publikoi asnjë statistikë, ai e anashkaloi atë me argumentin se rreziku i keqdeklarimit konsiderohet i ulët, pasi aplikimi i tarifës doganore 0% minimizon mundësinë e manipulimit të të dhënave.

Ndërsa tregu shqiptar po mbytet nga yndyrat bimore, Kosova ka marrë një vendim të rëndësishëm duke pezulluar përkohësisht përdorimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produktet e bulmetit. Vendimi i Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë u mor për të ndaluar mashtrimin me produktet e falsifikuara, duke detyruar ndarjen e rreptë të produkteve bimore nga ato shtazore nëpër dyqane.

EMISIONET