Nga dhuna në familje tek drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, arrestohen gjashtë persona në Tiranë
Gjashtë persona janë arrestuar në Tiranë për vepra të ndryshme penale. Mësohet se të arrestuarit kanë kryer vepra penale si dhuna në familje, vjedhja, dretimi i mjetit në gjendje të dehur. Gjithashtu materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin M. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe nënës së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin O. M., 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka kryer dy vjedhje në dy dyqane në Tiranë. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, për veprën penale "Vjedhja".
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin A. Gj., 21 vjeç, banues në Itali, pasi dyshohet se i ka vjedhur një qese me ushqime shtetasit E. S. dhe më pas është konfliktuar fizikisht me të. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. M., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij dhe e ka kanosur atë, me mjet prerës (thikë). Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasit: K. K., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi automjeti që e drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale;
S. B., 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën "Teodor Keko", duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me barrierat anësore në rrugë. Materialet i kaluan Prokurorisë.