Nesho: Rama justifikohet për mos plotësimin e kushteve, bashkë me Vuçiç është kundër “Berlinit”

Në një intervistë për RTV Ora, ambasadori Agim Nesho u shpreh se retorika e kryeministrit shqiptar përpiqet që të justifikohet për detyrat që nuk ka bërë për në BE.

Nesho tha se ne jemi si një shtet që bashkëvepron me mafien dhe kemi krim të organizuar, korrupsion dhe një shtet që nuk ka garanci për zgjedhje të lira.

Nesho: Retorika e kryeministrit shqiptar përpiqet që të justifikohet për detyrat që nuk ka bërë. Shqipëria në fakt ka një realitet, kemi një deklaratë të vitit 2018 të BE-së për zgjerim, ku thuhet se bendet e Ballkanit janë vende problematike për kapjen e shtetit dhe korrupsionit. Ne po ashtu nuk kemi plotësuar 15 kushtet që na janë vënë. BE-ja nuk mund të fajësohet sepse nuk kemi plotësuar as kriteret më minimale.  Ne jemi si një shtet që bashkëvepron me mafien dhe kemi krim të organizuar, korrupsion dhe një shtet që nuk ka garanci për zgjedhje të lira.

Një vend që në fakt ka kaq shumë probleme dhe nuk ka bërë detyrat e shtëpisë që na kanë vënë Be-ja, tani kërkon llogari. Duket qartë se Ballkani i Hapur nuk ka qenë një iniciativë e BE-së, por është një iniciativë politike dhe prandaj shkuan në Bruksel. Këtu ka pasur një aleancë të Ramës me Vuçiçin për të deligjitimuar procesin e Berlinit.

Nesho shtoi se tashmë gjendja është bërë tragjike, pasi Rama ka kokëfortësi për të mbështetur Open Balkan që i shërben vetëm Vuçiçit për të dominuar Ballkanin,

Nesho: Ne kemi ardhur në një moment tragjik për vendin dhe po i përulemi vullnetit të njëshit. Nuk kemi bërë asgjë edhe për çmimet e shportës. Tashmë gjendja është bërë tragjike, sepse kokëfortësia për të mbështetur këtë iniciativë që i shërben vetëm Vuçiçit për të dominuar Ballkanin, shqiptarët duhet të marrin fatin në dorën e tyre. Ne e kemi humbur një moment historik, sepse situata e krijuar në Ukrainë me luftën, ishte një mundësi e artë, pasi do të kishte një zgjidhje të shpejtë politike për rajonin tonë nga SHBA-ja dhe BE-ja.

EMISIONET