Në burg Bledar Zeneli, muratori akuzohet për terrorizëm, avokati: Publikoi citate të teologëve islamë
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Bledar Zenelin, i dyshuar për nxitje të urrejtjes dhe propagandë me qëllime terroriste.
Teksa ka dalë këtë të enjte para gjykatës për t’u njohur me masën ndaj tij, mësohet se Zeneli e ka pranuar që ka publikuar statuse të tilla në rrjetet e tij sociale, por ka theksuar se ato nuk janë për qëllime ekstremiste dhe as terroriste.
Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga avokati i tij Saimir Visha i cili theksoi se prokurori kërkon që të mbyllë fjalën e lirë dhe lirinë e besimit në vend.
Ai tha se klienti i tij nuk ka bërë asgjë më shumë se vetëm publikimi i citateve të filozofëve apo teologëve islamë.
Saimir Visha: Në faqen e tij në Facebook merrte dhe kopjonte citate nga imamet francezë apo çdo lloj xhamie dhe përhapja e opinioneve të të tjerëve për këtë nxitka terrorizmin. Unë nuk e kuptoj të nxitësh terrorizmin duke shprehur në një status mendimin e dhënë nga filozofë apo opinionist të shteteve të tjera. Është për të ardhur keq që kjo gjykatë përdor njerëzit si send si numra e jo si individ.
30-vjeçari, Bledar Zeneli me profesion murator, u arestua më 28 korrik 2022 me urdhër ndalimit të SPAK pasi akuzohet për nxitje të thirrjes dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.
I mbajtur nën vëzhgimin e antiterrorit për një periudhë dy vjeçare, Zeneli akuzohet se përdori gjerësisht rrjetet sociale për të mbështetur ISIS, dhe sulmet e ndodhura gjatë kësaj kohe.
Zeneli, thotë SPAK, shfaqet duke komentuar kundër shtetit të tij, dhe duke bërë propogandë për shtetin islamik.