Ndërtimet pa leje, “furtunë” në Komisariatin e Shkodrës, Proda shkarkon kupolën drejtuese

Pas skandalit me ndërtimet pa leje, “furtunë” në policinë e Shkodrës, shkarkohet kupola drejtuese.

Lajmi u konfirmua nga kreu i uniformave blu Ilir Proda në një konferencë për shtyp.

Konkretisht Proda tha se ka urdhëruar shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj dhe Shefit të Komisariatit, Nik Nikolla.

Lidhur me ndërtimet pa leje dhe zaptimin e hapësirave publike, Ilir Proda u shpreh se do ketë kontroll të përditshëm nga policia.

"Shefat e Komisariateve do të jenë përgjegjës për kontrollin e ndërtimeve pa leje! Shefi i Stacionit Policor në Theth pezullohet nga detyra! Shkarkoj nga detyra Drejtorin e Policisë Shkodër dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër", deklaroi Ilir Proda.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një deklaratë, paralajmëroi edhe drejtuesit e qarqeve të tjera që do të mbajnë përgjegjësi nëse konstatohen shkelje. Ai tha se nëse një drejtues policor nuk e di sesa veprime pa leje janë ndërmarrë, nuk mund të rrijë më në detyrë. 

"Ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë  apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti! I ftoj edhe njëherë qytetarët që çdo rast abuzimi, neglizhence apo sjelljeje të papërshtatshme nga punonjësit e Policisë ta denoncojnë menjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.", u shpreh Proda. 

Ndërtimet pa leje, “furtunë” në Komisariatin e

Proda theksoi se përveç pezullimit të shefit të stacionit të Thethit, nën hetim disiplinor është vendosur edhe inspektori i zonës dhe specialisti i krimeve, për të cilët tha se nuk e meritojnë të jenë pjesë e policisë së shtetit. Teksa njoftoi pezullimin e shefit të Thethit, Proda theksoi:

"Besoj se ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu - pavarësisht denoncimit të bërë  nga Policia në prokurorinë e Shkodrës, konkretisht referimi për ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur, fatkeqësisht  për  këtë rast në mënyrë të çuditshme  Prokurorja e çështjes u mjaftua me mosfillim procedimi."

Proda kërkoi bashkëpunim me bashkitë, dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të mundshëm shkeljeje apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë. Paralajmëroi gjithashtu dorë të hekurt edhe për ata që shkelin rregullat e parkimit. Ky fenomen i shëmtuar, tha Proda, duhet të zhbëhet me çdo kusht. 

"Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal.", deklaroi Proda.

Këto lëvizje vijnë në një kohë kur autoritetet ka nisur një aksion kundër zaptimit të hapësirave publike. Në Theth, ka nisur shembja e 80 objekteve pa leje. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar 'furtunë' nëse nuk do të lirohen hapësirat publike në vend.

EMISIONET