Rama: Tirana Industrial Park, realitet i bukur kompanish shqiptare me standarde të larta
Tirana Industrial Park është jetësimi i një projekti ambicioz, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili ndërthur konceptin e parkut logjistik me administrimin e biznesit, duke formuar një park industrial. Tashmë Tirana Industrial Park është një realitet i bukur kompanish shqiptare me standarde të larta, paga dinjitoze dhe mundësi punësimi për të rinjtë.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Parkun e ri Industrial, ku sipërmarrjet kanë ambiente ekspozuese për produktet e tyre, si dhe ambiente magazinimi. Parku i jep përparësi aktivitetit tregtar duke ulur kostot dhe procedurat administrative, si dhe bashkon shitjen me shumicë dhe pakicë.
“Çdo kapanon është i konceptuar me një showroom ku ekspozojmë produktet dhe pastaj kanë magazinat mbrapa nga ku paketohen”, u shpreh administratori i parkut.
Bizneset që operojnë në këtë park të ri industrial përfitojnë edhe nga lehtësitë fiskale të parashikuara në ligjin për parqet industriale.
“Po shpjegoja pak për lehtësitë fiskale që ofron ligji për parqet industriale; në momentin që aplikojnë për të qenë përfitues, edhe zhvillues, edhe përdorues, përdoruesit janë të gjitha bizneset që vijnë dhe investojnë kështu; ka një numër të madh lehtësirash siç është përjashtimi nga TVSH-ja dhe taksat e eksportit, pra 50 % pagesë tatimfitimi për 5 vitet e para, i njihen shpenzimet për pagat dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore për vitin e parë fiskal në masën 150 %. Pra, ka disa lehtësira që e ndihmojnë biznesin”, u shpreh zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani.
Kryeministri Rama vuri theksin tek rëndësia e rritjes së pagave të punonjësve.E rëndësishme, sipas Kryeministrit, është të mbahet forca e punës.