Miliona në rrezik, sigurimi i detyrueshëm për veprat publike po neglizhohet në Shqipëri!

Sigurimi i përgjegjësisë së ndërtuesit nuk është detyrim vetëm për objektet rezidenciale dhe ndërtesat në përgjithësi, por edhe për ndërtimet e tjera inxhinierike.
Ashtu siç ndërtuesi është i detyruar të sigurojë përgjegjësitë e tij kur ndërton një pallat, duke përfshirë dhe me fokus sidomos rrëshqitjen e tokës, ky detyrim duhet të zbatohet edhe për ndërtimin e rrugëve ose të veprave të tjera publike.
Nëse një rrugë shembet brenda 10 viteve nga ndërtimi i saj, përfituesi i sigurimit, në këtë rast shteti, duhet të dëmshpërblehet nga kompania e sigurimeve. Madje, shembuj të dëmtimeve të rrugëve shumë shpejt pas ndërtimit edhe kanë ndodhur, siç ishte, për shembull, rasti i Unazës së Burrelit.
Në dhjetor të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për përcaktimin e kushteve dhe elementeve të përgjithshme të sigurimit të përgjegjësisë profesionale të projektuesit, të grupit të projektimit dhe zbatuesit të punimeve, si dhe rregullat dhe elementet e sigurimit, të përgjegjësisë së zhvilluesit për të gjitha ndërtimet me vlerë mbi 100 milionë lekë.
Projektuesi i licencuar është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale. Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij gjatë procesit të ndërtimit të objektit.
Shuma e sigurimit llogaritet duke mbuluar çdo shpenzim të nevojshëm e të domosdoshëm të projektimit të ri, si dhe shpenzimet shtesë të kryera nga zhvilluesi ose organet e administratës publike, që kanë rrjedhur si pasojë e gabimeve në projektim, si dhe kostot shtesë që mund të lindin për zhvilluesin, si pasojë e gabimeve në projektim gjatë zbatimit të projektit.
Zbatuesi i punimeve si person juridik, i licencuar, është i detyruar gjithashtu të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale. Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij gjatë procesit të ndërtimit të objektit.
Shuma e sigurimit llogaritet duke mbuluar të paktën çdo shpenzim të nevojshëm e të domosdoshëm për kryerjen e punimeve të reja, si dhe shpenzimet shtesë të kryera nga zhvilluesi ose organet e administratës publike, që kanë rrjedhur si pasojë e zbatimit të punimeve në kundërshtim me kontratën përkatëse për zbatimin e punimeve të ndërtimit, me dokumentet e planifikimit dhe zhvillimit, si dhe me legjislacionin në fuqi, që rregullon veprimtarinë e ndërtimit.
Zhvilluesi si person fizik apo juridik është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale për të gjitha ndërtimet me vlerë mbi 100 milionë lekë. Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet nga rreziqet gjatë procesit të zhvillimit kundrejt palëve të treta.
Shuma e sigurimit llogaritet në përqindje ndaj preventivit të punimeve të zbatimit për kostot e llogaritshme, pa vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Kjo vlerë do të jetë jo më shumë se 15% e vlerës së preventivuar të punimeve.
Por, sipas siguruesve, ky detyrim ligjor i subjekteve që ndërtojnë vepra publike nuk zbatohet pothuajse asnjëherë, me përjashtime të rralla, kryesisht në rastet e kompanive të huaja./Monitor.al

