SPAK, dy akuza për Metën. Hetohet për korrupsion dhe falsifikim, letërporosi drejt SHBA

Prokuroria e posaçme po e heton ish presidentin ilir meta për dy akuza. Korrupsion pasiv dhe falsifikim i formularëve janë dy veprat penale për të cilat po zhvillohen hetimet nga SPAK. Kjo  strukturë pritet të dërgojë letërporosi në SHBA në lidhje me shpenzimet e kryera nga LSI për lobimet me qëllim ballafaqimin e pagesave të kryera jashtë vendit me pasqyrat financiare të deklaruara në Shqipëri.

Ish-presidenti Ilir Meta, njëherësh kryetar i Partisë së Lirisë, është duke u hetuar nga SPAK, për dy vepra penale.

Ora News mëson se ai po hetohet për veprën penale të "korrupsionit pasiv" sipas nenit 259 të Kodit Penal dhe veprën e "falsifikimit të formularëve" sipas nenit 190 të Kodit Penal.

Sipas burimeve nga SPAK, objekt i hetimeve janë pasqyrat e burimeve financiare të depozituara në KQZ nga LSI, për lobim e shpenzime elektorale në ShBA.

Hetimi për Metën ka nisur për shkak të një kallëzimi të bërë në qershor nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili kallëzoi edhe Monika Kryemadhin duke pretenduar se personat e denoncuar prej tij duhet të akuzohen për pastrim parash dhe korrupsion.

Menjëherë pas këtij kallëzimi mësohet se SPAK pasi ka kryer verifikime ka vendosur ta regjistroj procedimin për dy akuza dhe tu kërkojë institucioneve shtetërore të dhëna për ish presidentin.

Mësohet se Prokuroria e Posaçme do të dërgojë edhe letërporosi ne SHBA ku do të kërkojë informacion edhe nga kompanitë e lobimit dhe pagesat e mbërritura atje nga LSI.

Ndërkohë që ish presidenti pritet të merret ne pyetje për të dhënë sqarimet e tij ne lidhje me këto akuza.

Pak vite me parë një hetim i ngjashëm u zhvillua nga prokuroria e Tiranës edhe për ish kreun e partisë demokratike Lulzim Basha.

Vetë Meta reagoi për hetimet e SPAK duke e quajtur prokurorinë një institucion të kapur nga mafia e incineratorëve.

Këto reagime u cilësuan të papranueshme nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.

EMISIONET