SPAK urdhëron prangosjen e ish-inspektorit të Kadastrës: Kapetani mori ryshfet në 14 raste

Një ish punonjës i kadastrës u arrestua me urdhër të SPAK për korrupsion pasi në 14 raste ka marrë ryshfet nga të afërm të ish pronarëve për ti ndihmuar me fondin e kompensimit. Nën akuzë janë vendosur edhe 9 persona të tjerë të cilët nga përgjimet e SPAK, kanë rezultuar se kanë ofruar shuma ryshfeti për të përfituar kompensimin.

SPAK urdhëron prangosjen e ish-inspektorit të Kadastrës: Kapetani

Një skemë korruptive me kompensimin e ish pronarëve është zbuluar nga prokuroria e posaçme SPAK, e cila ka arrestuar ish punonjësin e Kadastrës Ilir Kapetani dhe ka nisur procedim penal ndaj 9 të dyshuarve të tjerë.

Ish-punonjësi i Kadastrës është arrestuar nga SPAK pasi merrte ryshfet për t'u mundësuar ish-pronarëve kompensimin.

Policia e shtetit tha se hetimi ka nisur në vitin 2021 ndërsa SPAK bëri të ditur se i arrestuari Ilir Kapetani me detyrë Inspektor i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të paktën në katërmbëdhjetë raste u ka marrë qytetarëve të ndryshëm, trashëgimtarë të ish-pronarëve, shuma parash në shkëmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Pas dokumentimit të këtyre veprimeve të ish punonjësit, prokuroria ka ngritur akuzë ndaj tij për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë ndaj 9 personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm, është ngritur akuza e “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga nëntë personat e tjerë në hetim, dy prej tyre janë lënë në masën “Arrest në shtëpi”, 1 me masën “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe 6 me masën “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, pasi dyshohet se kanë ofruar ryshfet për të përfituar kompensim financiar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

EMISIONET