"Sulmi ndaj RTV Ora", zv.presidenti i gazetarëve europianë: Mos kini frikë, politikanët janë të përkohshëm
Tibor Macak zëvendëspresidenti i shoqatës së gazetarëve europianë ka folur në lidhje me lirinë e mediave në vendin tonë duke thënë se qeveria nuk mund të ndërhyjë as në media as tek gazetarët. Sjellje antievropiane ka quajtur ai sulmin ndaj RTV Ora dhe Ora News.
Liria e medias dhe gazetarëve në Shqipëri është vënë muajt e fundit në qendër të organizatave të huaja, të cilat bëjnë thirrje herë pas here për heqjen dorë nga sulmi i autoriteteve ndaj mediave dhe gazetarëve kritikë.
Tibor Macak zv.Presidenti i shoqatës së gazetarëve europianë tha se në Shqipëri liria e medias duhet të jetë e njëjtë si për televizionin publik ashtu dhe ato private.
"Kur qeveria sulmon mediat private është e gabuar. Në cdo vend përfshirë Shqipërinë, kemi një sistem dual, në një anë media publike dhe në anën tjetër ajo private. Të dyjave duhet tu garantohet pavarësia dhe liria e fjalës.
Media nuk duhet ta ketë frikë politikanët, pasi ata janë të përkohshëm, ndërsa media është e përhershme," tha ai.
Duke folur për sulmin ndaj RTV Orës ku policia e armatosur erdhi në ambientet e televizionit dhe dy vite më pas u vendos konfiskimi i tij, Macak tha se kjo nuk është një sjellje europiane.
"Kjo është një sjellje antieuropiane për të cilen askush nuk duhet të heshtë," tha ai.
Gazetari slloven e vuri theksin edhe tek politizimi i thellë i shoqërisë shqiptare, si një problematikë që duhet marrë zgjidhje.
"Isha afër protestës dhe samitit! Nuk flas shqip. Por dëgjova vetëm dy emra shumë shpesh; Sali Berisha dhe Edi Rama. Kjo ishte e gjitha që kuptova," tha ai.
Vitet e fundit shqipëria ka pasur një ulje dramatike në rankimet e lirisë së medias, ndërsa ndërhyrjet e qeverisë shihen si një ndër shqetësimet kryesore.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

