Mbushën Europën me kokainë nga Kolumbia, SPAK i sekuestron të tjera pasuri një prej anëtarëve të grupit

Vijon sekuestrimi i pasurisë së anëtarë të grupit kriminal nga Shkodra që trafikonte kokainë nga Kolumbia drejt vendeve të ndryshme të Europës. Bëhet fjalë për shtetasit Eri Pelinku, Armando Doçaj dhe Dëfrim Eçi me në krye shkodranin Jetmir Kastrati, të cilët u arrestuan më 26 qershor 2019 në Danimarkë.
Me 29 tetor 2019 grupit kriminal që operonte në trafikun ndërkombëtar të kokainës, dhe të ardhurat e përfituara prej saj i investonte në Shqipëri, ju sekuestruan 3 milionë euro pasuri.
Pronat e sekuestruara i kishin regjistruar në emër të familjarëve apo personave me të cilët kishin lidhje miqësore dhe shoqërore me katër të arrestuarit.
Sot SPAK njoftoi se pas një hetimi financiar dhe pasuror të shtetasit Armando Doçaj dhe familjarëve të tij, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e një llogarie bankare 4 mijë euro, një njësie shërbimi në Durrës dhe dy apartamente në Tiranë.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguara nga Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar në datën 20.12.2019, procedimin penal pasuror nr.6, në ngarkim të shtetasve A. Doçaj, A. Beqiri, etj.
Nga studimi i akteve, rezulton se autoritetet daneze të drejtësisë, kanë kryer një hetim proaktiv ndaj disa shtetasve shqiptarë me banim në Danimarkë dhe jashtë saj, si shtetasi S. K. (alias J. K.), A. Doçaj, etj, për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që kanë operuar jo vetëm në territorin e Danimarkës, por dhe në Gjermani, Hollandë, Suedi, Belgjikë, Shqipëri, etj.
Pas regjistrimit të procedimit penal pasuror, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kreu një hetim financiar dhe pasuror të shtetasit A. Doçaj dhe familjarëve të tij. Në përfundim të hetimit, bazuar në parashikimet e Ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, (Ligji Antimafia) me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.12 datë 04.05.2021 ndërmjet të tjerave ka vendosur:
• Sekuestrimin e një shume prej 4.000 Euro (llogari bankare);
• Sekuestrimin e një njësi shërbimi, me sipërfaqe 134 m2 në lagjen “Plazh”, Durrës;
• Sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 122.58 m2 në Tiranë;
• Sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 116.83 m2 në Tiranë.
Tufa 500 euroshe, BMW luksi dhe apartamente, pasuria 3 mln € që iu sekuestrua grupit të Jetmir Kastratit
Në 2019, Policiae Shtetit, i sekuestroi grupit valixhe me euro, me prerje 500 euroshe, 5000, 2000 dhe 1000 lekësh.Gjithashtu u sekuestruan banesa, apartamente, një biznes i llojit pulari dhe automjete luksi si “BMW”, “Audi” dhe “Golf”.
Pasuritë e sekuestruara:
-Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro;
-10 apartamente banimi, në plazhin e Velipojës;
-1 apartament banimi në Shkodër;
-automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit;
Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro.
Kush e drejtonte grupin
Jetmir Kastrati ishte kreu i kokainës së Europës i njohur ndryshe edhe me pasaportën e kosovare si Sokol Krasniqi.
Kastrati drejtonte dhe financonte grupin e gjerë të trafikut të kokainës, që vepronte në territorin e Danimarkës,Gjermanisë, Hollandës, Suedisë, Belgjikës, Shqipëri e vende të ndryshme të Europës.
Paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal ishin investuar në Shqipëri dhe të regjistruara në emër të familjarëve të tij dhe të tre personave të tjerë të arrestuar Dëfrim Eçi, Armando Duçaj, dhe Eri Pelinku.
Të katër shqiptarët ranë në pranga në Danimarkë pas operacionit të parë ndërkombëtar me të njëtin emër “Goldfinger” teksa në Shkodër u sekuestrua një tjetër pjesë e pasurisë së grupit kriminal në muajin qershor të këtij viti.
EUROPOL në koordinim me autoritetet të 7 shteteve të ndryshme përfshirë edhe Shqipërinë kanë realizuar një megaoperacion duke goditur një grup kriminal që merrej me trafikimin e drogërave të forta të Europës.
Pjesë e këtij grupi në rolin e administruesit të pasurisë është dhe kunati i Kastratit, Astrit Beqiri.
Nga regjistrimi në zyrat shtetërore me qëllim për të fshehur pronësinë reale mbi to, Astrit Beqiri rezulton zotëruesi i pasurisë së majmë që u sekeustrua më 26 qershor të këtij viti.
51-vjeçari ra në pranga teksa ndodhej në shtëpinë e tij në Shkodër ndërsa u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro, që dyshohet të jenë siguruar si pasojë e tregtimit të narkotikëve.




