Dorëhiqet Lulzim Basha, largohet pas 9 vitesh nga drejtimi i PD: Partia në krizë të thellë
Nëntë vite pasi mori drejtimin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dha dorëheqjen duke lënë partinë më të madhe të opozitës në krizë të thellë. Ai tha se përpjekja e tij për bashkimin e PD dështoi ndërsa përjashtimin e Sali Berishës e cilësoi si vendimin politik më të vështirë në karrierë. Ish-kreu i PD-së theksoi se demokratët janë të lidhur nga konflikti politik, ndërsa apeloi për një proces zgjedhor transparent për drejtuesin e ri të partisë.
Nëntë vite pasi mori drejtimin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dha dorëheqjen pa arritur ta sjellë opozitën në pushtet.
Për këtë fajësoi fillimisht vjedhjen e zgjedhjeve dhe më pas pranoi se nuk ia doli në misionin e drejtimit të opozitës.
"Një qeveri e tillë, me program dhe ofertë konkrete u pengua nga masakra zgjedhore që ndali ndryshimin me 25 prill".
Gjatë fjalimit të largimit në mbledhjen e grupit parlamentar, në prani edhe të kryetarëve të degëve të PD në rrethe, Basha pranoi se partia është në krizë të thellë
"Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shume demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh te paparimta dhe te pavërteta që krijuan një frymë përcarje, dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë".
Në mesazhin e largimit, Basha sugjeroi edhe axhendën që sipas tij duhet të ndjekë PD, e cila sipas tij të nisë sa më parë një proces vetëdijësimi, analize, përbashkimi parimor dhe ripërtëritje, e më pas një proces zgjedhor të hapur, nga baza në qendër deri tek gjithë lidershipit të PD.
"Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet Partia Demokratike dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm Edi Rama dhe klika e tij".
Basha pranoi se vendimi për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar kishte qenë vendimi më i vështirë politik.
"Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët".
Vendimi i ish-kreut të PD, erdhi pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit ku mbështetja për Lulzim Bashën ra ndjeshëm edhe brenda partisë pasi deputetët dhe anëtarët e kryesisë kërkuan dorëheqjen e tij.
Megjithatë burime nga PD, thonë se Basha mund të marrë pjesë sërish në garën për kreun e ri të selisë blu.