Lezhë/ Me makinë të blinduar do kryenin krim, mes të arrestuarve i përfshiri në vrasjen e Xhulio Prelës

Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar ditën e sotme në Lezhë (17 Gusht), ku në pranga kanë rënë dy persona, një grua e identifikuar si Flutura Berisha, 34 vjeçe dhe Nikoll Sherrniku, 28 vjeç. 

Ky i fundit ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpi", në lidhje me përfshirjen e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2020, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, Xhulio Prela.

Sipas hetimeve të policisë 28-vjeçari së bashku me 34-vjeçaren dyshohet se me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale.

"Bazuar në hetimet e deritanishme lindin dyshime se lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera në lidhje me rastin."- njofton policia. 

Ndërkohë sipas policisë, në makinën e blinduar që po udhëtonte dyshja ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç.

Si ranë në prangat e policisë

Në kuadër të operacionit "Dyshimi" shërbimet e Policisë, pasi kanë lokalizuar automjetin tip "Toyota", të parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, kanë ndërhyrë për të neutralizuar shtetasit që ndodheshin në automjet, të cilët, sapo kanë parë shërbimet e Policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap.

Gjatë tentativës për t’u larguar shtetasja F. B. (drejtuesja e automjetit), ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga shërbimet e Policisë.

Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç.

"Në vijim të operacionit, është ushtruar kontroll në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas dhe është gjetur një krehër automatiku me fishekë në të, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së shtetases F. B., janë gjetur 2 radio marrëse - dhënëse, si ato të Policisë."- njofton policia. 

Në përfundim të veprimeve hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 automatik, 2 krehëra me fishekë në to, 2 radio marrëse dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas.

Lezhë/ Me makinë të blinduar do kryenin krim, mes të
Makina dhe arma e sekuestruar

Akuzat

Nikoll Sherrniku, 28 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit";

Flutura Berisha, 34 vjeçe, banuese në Kurbin, për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".

Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Vrasja e Xhulio Prelës

Lezhë/ Me makinë të blinduar do kryenin krim, mes të
Nikoll Sherrniku dhe Xhulio Prela

Sherrniku i arrestuar ditën e sotme dyshohet si i implikuar në ekzekutimin e 26-vjeçarit Xhulio Prela i cili u qëllua për vdekje mëngjesin e 5 dhjetorit të 2020 teksa po kthehej nga Shkodra, në drejtim të Tiranës ku dhe banonte.

Sherniku, në këtë ngjarje akuzohet për veprën penale të “Moskallëzimit të Krimit”, ndërsa dy persona të tjerë kushërinjtë, Redion dhe Sokol Hysa, akuzohen për vrasjes e punonjësit të policisë.

Ai u arrestua më 20 dhjetor 2020, ku pas daljes nga Gjykata iu dha masa e sigurisë "Arrest me burg' e më  pas masa e sigurisë  'Arrest shtëpie."

EMISIONET