Vrasja e policit të FNSH-së pas sherrit për dritat e makinës? Në pranga një nga autorët, tjetri në kërkim ndërkombëtar
Policia e Lezhës ka vënë në pranga një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së efektivit të FNSH-së Shkodër, Xhulio Prela. Nikoll Sherrniku u ndalua pasditen e të shtunës ndërsa policia ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij i cili dyshohet se është arratisur jashtë vendit. Burime të grupit hetimor bëjnë me dije se vrasja ka ndodhur për shkak të një debati për dritat e makinës kur viktima dhe autorët udhëtonin në autostradën Lezhë-Milot.
Dy javë pas ekzekutimit të punonjësit të FNSH-së Shkodër, Xhulio Prela, policia e Lezhës ka arrestuar një prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Burimet bëjnë me dije se është vënë në pranga Nikoll Sherrnikun për të cilin gjykata ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë.
Ndalimi i Sherrnikut është bërë pasditen e të shtunës në ndërsa është shpallur në kërkim dhe një person tjetër me iniciale B.M. i dyshuar si bashkëautor në vrasjen e 26-vjeçarit në aksin rrugor Lezhë-Milot, në zonën e Gajushit.
Hetuesit kanë dyshime se bashkëpunëtori tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, të jetë larguar jashtë vendit, ndaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Uniformat blu bëjnë me dije se vrasja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Pas marrjes në pyetje të disa prej personave të shoqëruar për ngjarjen policia ka arritur në konkluzionin se efektivi i policisë është vrarë pas konfliktit për dritat e makinës, në kohën që ishte duke udhëtuar në autostradën Lezhë-Milot, me destinacion Tiranën.
Sipas policisë krahas kërkimeve për zbulimin e vendodhjes së bashkëautorit tjetër, policia thotë se po kryen kontrolle dhe për gjetjen e armës së krimit, me të cilën është shtënë në drejtim të punonjësit të FNSH-së Shkodër.
Efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela, u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor me një plumb në gjoks teksa po kthehej nga Shkodra për në Tiranë.
26-vjeçari po kthehej nga Shkodra, nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia.
Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër duke i shkaktuar vdekjen.
Pasi u qëllua, makina tip “Volkswagen” ka ecur në gjendje të lirë për disa qindra metra duke përfunduar në anë të rrugës.
Lexo edhe: Vrasja e efektivit Xhulio Prela
