“Kurti nuk lëshon pe”/ Mal Berisha: Parulla ‘drejt e krejt’ po mban peng politikën në Kosovë
Diplomati Mal Berisha, i ftuar në emisionin “Ora e Betit”, komentoi situatën politike në Kosovë dhe debatet për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas tij, qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti për të mos bërë kompromis me opozitën po e zgjat krizën politike në vend.
Berisha tha se në kushtet aktuale gjeopolitike, Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim mes forcave politike dhe për një zgjidhje që garanton stabilitet institucional.
“Në hir të interesave të Kosovës, do të duhej të lëshohej pak pe për hir të kompromisit dhe stabilitetit në vend. Aq më tepër që situata gjeopolitike nuk është aspak e favorshme dhe askush nuk ka interes të merret me konfliktet e brendshme politike për të gjetur një emër për presidencën.”- tha ai.
Ai solli në vëmendje edhe një praktikë të mëparshme politike në Shqipëri, kur posti i presidentit i jepej opozitës si një formë balancimi politik, duke shtuar se një qasje e tillë do të ndihmonte në uljen e tensioneve.
Sipas Berishës, mënyra si kryeministri Kurti e sheh kompromisin politik ka ndikuar në përplasjet aktuale me opozitën.
“Unë mendoj që zoti Kurti, në gjithë enciklopedinë e gjuhëve, fjalën që urren më shumë është fjala konsensus. Ai nuk bën lëshime. Parulla e tij ka qenë ‘drejt e krejt’ dhe ‘mos lësho pe’, që do të thotë të mos lësh asnjë hapësirë jashtë kontrollit.”- shtoi Berisha.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":

