"Konflikti Kurti-Osmani, ka pasur tensione të mëparshme"/ Çejku: Vjosa s'ka mundur t'i përgjigjet politikisht

Diplomati Arben Çejku, i ftuar në emisionin “Ora e Betit”, foli për përplasjen politike mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentes Vjosa Osmani, një konflikt që sipas tij po thellohet dhe po përfshin edhe institucionet kushtetuese të vendit.

Sipas Çejkut, tensionet mes dy figurave kryesore të politikës kosovare kanë ekzistuar edhe më herët, por nuk janë shfaqur gjithmonë hapur për shkak të rolit institucional të presidentes.

“Mes dy krerëve kryesorë të politikës në Kosovë, Albin Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani, ka pasur një periudhë pararendëse tensioni që është shfaqur herë pas here. Për shkak të detyrimeve kushtetuese, zonja Osmani nuk ka mundur gjithmonë t’i përgjigjet politikisht Kurtit, ndërsa ai ka pasur avantazhin e pozicionit si kryeministër dhe njëkohësisht si politikan.”- u shpreh diplomati.

Ai shton se kriza e opozitës dhe pritshmëritë që Osmani mund të shfaqej si një figurë bashkuese kundër Kurtit kanë ndikuar në përshkallëzimin e përplasjes, duke e shndërruar atë në një konflikt që përfshin edhe Kushtetutën dhe institucionet e vendit.

Ndërkohë, vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës për pezullimin e disa proceseve institucionale ka futur Kuvendin në një periudhë mosfunksionimi deri më 31 mars, duke shtuar pasigurinë politike.

“Gjykata Kushtetuese e ka futur parlamentin e Kosovës në një lloj agjërimi politik deri më 31 mars. Palët presin një dalje nga kriza, por personalisht nuk mendoj se do të ketë një zgjidhje të shpejtë. Përkundrazi, pritet një konfrontim më i madh mes dy figurave që duhej të punonin për unifikimin e faktorit të brendshëm.”- tha Çejku.

Sipas tij, përplasja mund të shndërrohet në një ballafaqim më të fortë politik, me pasoja për stabilitetin institucional të vendit.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":

EMISIONET