Korçë/ 3 persona dërgohen në gjyq për fajde, përvetësuan pasuri mbi 200 mijë euro me garanci false

Prokuroria e Korçës ka dërguar në gjyq tre persona të cilët dhanë mbi 200 mijë euro me fajde.
Një prej këtyre personave, ishte nën masën e sigurimit arrest shtëpiak, por gjatë ditës largohej nga banesa për të vijuar veprimtarinë kriminale.
Në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan një numër i konsiderueshëm sende dhe dokumente.
Në to, përfshiheshin kontrata noteriale shit-blerje pasurie të luajtshme dhe të paluajtshme, kontrata dhurimi, hipoteke, pengu , gjithsej rreth 92 sende e dokumente, si dhe një numër i konsiderueshëm mjetesh identifikimi, celular, çelësa automjetesh, automjete të konstatuara në brendësi të oborrit të banesës, si dhe jashtë saj.
Ky shtetas, në bashkëpunim me dy të tjerë, vendosnin garanci reale, hipotekë ose peng, mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke vendosur afate të ngushta, përgjithësisht 3-mujore dhe duke lëvizur fonde, pa qenë të pajisur me licencë nga Banka e Shqipërisë.
Nga hetimet rezulton se vlera e pasurive të paluajtshme që këta shtetas kanë përvetësuar është shumë herë me e madhe se ajo për të cilën kanë dhënë para borxh.
Ndërkaq, për vlera që variojnë nga 1000 euro, 1500 euro dhe 2.000 euro, janë lënë si garanci, duke kaluar më pas pronësinë në emër të të pandehurve, pasuri të luajtshme siç janë automjete, të cilat kanë vlerë disa herë më të madhe se borxhi i dhënë.
“Referuar të ASHK-së rezultoi e provuar se të pandehurit kanë ushtruar veprimtari kredidhënie të mirëfilltë, duke regjistruar kufizime pronësie në pasuri të paluajtshme ku disa prej tyre i kanë kaluar në pronësi, të fituara për shkak të mosshlyerjes së borxhit, ku rezulton se vlera e pasurive të paluajtshme që këta shtetas kanë përvetësuar është shumë herë me e madhe se ajo për të cilën kanë dhënë para borxh (e provuar mbi 200.000 euro të dhëna si para me fajde) në një numër të konsiderueshëm personash”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Korçë.

