Kolonja pa mjekë/ Në spital mungojnë mjekët specialistë, pacientët dërgohen në Korçë
Në Spitalin e Kolonjës janë vetëm tre mjekë. Shërbimet që ofrohen janë të kufizuara ndaj për çdo shqetësim shëndetësor banorët detyrohen t`i drejtohen Spitalit të Korçës.
Me mungesën e mjekëve prej vitesh po përballet edhe Spitali i Kolonjës në juglindje të vendit.
Në këtë institucion ku marrin shërbim afro 11 mijë banorë nuk ka mjekë specialistë.
Banorët të cilët halli i ka çuar në dyert e këtij institucioni thonë se aty ka vetëm tre mjekë.
"Tre doktorë janë, një pediatër, një i përgjithshëm dhe nëj gjysmëkirurgu," tha një qytetar.
Në spital mund të kryhet vetëm ndonjë injeksion e merren shërbimet bazë.
"Ja do të bëj një serum, kaq," tha ai.
Janë të detyruar që për çdo urgjencë apo vizitë më të specializuar t`i drejtohen spitalit të Korçës.
"Vijnë këtu, japin ndihmën e parë dhe në Korçë pastaj," tha ai.
Kostot i kanë të larta por thonë se rrugëzgjidhje tjetër nuk kanë.
"Pare duan, po pate parë të shohin. Po s'ke rri aty ngrohtë në shtëpi," tha një qytetar.
Vitet e fundit të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor në vend po vuajnë mungesën e mjekëve dhe infermierëve, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kanë emigruar jashtë vendit për kushte më të mira pune.