Kokaina në Fier, të arrestuarit u përgjuan dhe brenda makinave. Do të kërkohet ekspertimi i plehut

Kokaina në Fier, të arrestuarit u përgjuan dhe brenda makinave.

Megjithëse SPAK, ka arrestuar 10 persona dhe një shtetas kolumbian Zaimir Rodrigez me profesion kimist është shpallur në kërkim, deri tani Prokuroria e Posaçme, nuk ka asnjë kilogram kokainë të kapur si të fermentuar nga procesi laboratorik.

Përmes përgjimeve telefonike dhe atyre ambjentale në makinat e të dyshuarve, grupi i hetimit ka krijuar bindjen e fortë se lënda narkotike e mbërritur në Shqipëri nga Kolumbia, ndodhet e shkrirë pikërisht në plehun organik artificial.

Dyshimet se kokaina ndodhet në thasët me pleh janë përforcuar akoma dhe më tepër, kur gjatë një ekspertimi kimik të kryer në laboratorët e policisë së Malit të Zi, është konstatuar se kishte përmbajtje kokaine, raporton Ora News.

Por për të vërtetuar totalisht këtë bindje, pritet që gjatë kësaj jave, Prokuroria e Posaçme SPAK, ti drejtohet me një kërkesë Laboratorit të Policisë Shkencore, me qëllim kryerjen e një ekspertize kimike, nëse në thasët me plehë ka përmbajtje kokaine ose jo.

Burimet pranë SPAK, thanë se nëse Policia Shkencore, nuk është në gjendje të kryejë këtë ekspertizë, atëherë grupi i hetimit do i drejtohet një vendi mik, për të kërkuar ndihmë mbi ekspertizën e këtij rasti.

Që prej muajit Maj 2022, grupi i hetimit ka kyer përgjimin e qindra bisedave të kryera mes 10 personave të arrestuar, raporton Ora News.

Shumë përgjime janë kryer në ambjentet e makinave të ndaluarve, duke sjellë zbardhjen e të vërtetës se çfarë fshihej në thasët me pleh.

Personat e arrestuar flisnin shpesh për prezencën e kokainës në pleh, mbërritjen në Shqipëri të kimistit kolumbian Zaimir Rodrigez dhe llogaritë e fitimit financiar që do kishin nga ky proces, mëson Ora News.

Nikolin Gjolena, është biznesmeni që është përgjuar brenda në makinën e tij.

Tashmë policia dhe prokuroria janë duke përqëndruar hetimet për lokalizimin dhe arrestimin e Rodrigez, i cili do ishte njeriu kyç që do bënte procesin e ndarjes së plehut organik me kokainën.

Viktor Çervanaku, Zenel Çervanaku, Denilson Çervanaku, Enxhi Ferhati, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (Kodra), Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi dhe Marildo Rona, do qëndrojnë në qeli gjatë hetimeve.

Personi që e ka porositur plehun organik nga Kolumbia, Zenel Çervenaku, ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë dijeni për sasinë e lëndës narkotike nëpër thasë.

Sipas tij, ai ka bërë porosinë vetëm për pleh organik.

Edhe personat e tjerë kanë patur qëndrim mohues para gjykatës dhe nuk kanë pretenduar se nuk kanë asnjë dijeni për aktivitet të paligjshëm.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET