Vritet anëtari i bandës së Lushnjës, gjendet buzë Shkumbinit, 38-vjeçari, Alban Semaku

Qarku i Elbasanit nuk po gjen qetësi nga krimi, ku një vrasje me armë zjarri është zbuluar në Peqin. Pak orë pas gjetjes së trupit të tij u bë me dije se Personi që u gjet i vrarë buzë Shkumbinit në Peqin rezulton se është 38-vjeçari Alban Semaku , i cili mbante dhe emrin Elton Mermali. Dyshimet janë se krimi mund të ketë ndodhur diku tjetër, por trupi I pajetë është hedhur buzë lumit në një zonë të izoluar për të humbur gjurmët. Semaku në 2006-ën do të ekstradohej nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, e dënoi për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.

Një person u gjet i vrarë me armë zjarri në rrethana misterioze këtë të dielë në lagjen Çezmë në afërsi të lumit Shkumbin.

Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se bëhet fjalë për Alban Semakun, 38 vjeç, banues në Lushnjë, i cili deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali.

Në vitin 2006, ai është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vrasje të kryer për llogari të organizatës kriminale të Lushnjës.

Ndërkohë më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço” të Lushnjës, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T.

Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj tij, Alban Semakut iu gjet një armë zjarri, pistoletë e tipit “Zastava”, një krehër pistolete me 6 fishekë dhe dy doza heroinë.

Më 16 nëntor 2015 Gjykata e Lushnjës e dënoi atë me 6 vjet e 8 muaj burg, dhe ka dalë nga qeli më 6 maj të këtij viti, pasi vuajti dënimin në Burgun e Peqinit.

Ishin banorët e zonës që lajmëruan paraditen e kësaj të diele për trupin e pajetë, ndërsa verifikimet e para nga terreni konfirmuan se bëhej fjalë për vrasje!

Vritet anëtari i bandës së Lushnjës, gjendet buzë
Viktima Alban Semaku

Siç tregojnë burimet, viktima kishte në trup dy plagë të shkaktuara me armë zjarri, një pas shpinës dhe një tjetër në brinjë, çka tregon se ai është ekzekutuar.

Nga të dhënat e para, ekspertët e kriminalistikës kanë ngritur dyshimin se vrasja ka ndodhur të paktën mbrëmjen e kaluar.

Për momentin mbetet e paqartë nëse krimi ka ndodhur Aty, apo trupi është hedhur buzë Shkumbinit për të fshehur gjurmët.

Fakti që zona është e izoluar, pa biznese dhe banesa afër që mund të kenë kamera sigurie e bën të vështirë zbardhjen e dinamikës së vrasjes.

Ndaj policia mësohet se ka sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë në bizneset përgjatë rrugës Elbasan Peqin, në funksion të hetimit

Kjo vrasje është ngjarja e dytë e rëndë kriminale në qarkun e Elbasanit në harkun 2 javëve.

Më 5 Tetor në në qytetin e Elbasanit u ekzekutuan Lulzim Bitri dhe Ardian Subashi (Collaku), krim që ende është pa autor.

EMISIONET