Atentati në Fushë-Krujë, dyshohet se autorët ishin 4: Njëri shoferi, tre të tjerët qëlluan me kallashanikov
Katër dyshohet të kenë qenë autorët e atentatit në Fushë-Krujë, ku mbetën të vrarë Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj.
Gazetari Edison Vatnikaj, bën me dije se në makinën tip "Volswagen Passat" në të cilën ndodheshin autorët, njëri prej tyre ka qenë shofer, ndërsa tre të tjerët kanë qëlluar me breshëri automatiku drejt viktimave të cilët ndodheshin në një makinë të njëjtë me atë të autorëve. Mësohet se në atentat janë përdorur dy automatik dhe një MP5.
Duket se ata kishin organizuar një pritë në mënyrë që shënjestra e tyre të mos largohet.
Sapo Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj janë futur në mbikalimin e Fushë-Krujës, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Bëhet e ditur se autorët mbi makinën që ndodheshin viktimat kanë zbrazur dy karikator të automatikut.
Vata, mësohet se ka dalë nga makina duke i mbijetuar atentatit, por autorët sapo e kanë parë të gjallë kanë kthyer dhe e kanë qëlluar sërish për vdekje.
Ndërkohë Hoxha e Martinaj u shkrumbëruan brenda makinës së tyre pasi u përfshi nga flakët si pasojë e plumbave.
Më pas ata janë larguar ndërsa makina e djegur që dyshohet të jetë e autorëve është gjetur në Larushkë.
Në vendngjarje janë gjetur rreth 50 gëzhoja, ndërkohë 3 kallashnikov janë gjetur në makinën e autorëve dhe një pistoletë në makinën e viktimave.