Atentati në Durrës, viktima Maneci dyshohet se ishte i implikuar në dhunimin e biznesmenit libanez
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vrasjen në Durrës, ku humbi jetën Arben Mërkuri (Ismaili) me pseudonim “Maneci”, 48-vjeç.
Burime për Ora News, bëjnë me dije se viktima i cili kishte pseudonimin Maneci, ishte me precedent të mëparshëm penale.
Ai dyshohet për krime kundër personit, për vrasje ne pagesë por nuk ka asgjë të dokumentuar.
'Maneci' në vitin 2016-të bashkë me Landi Muharremin dhe Skënder Krahjan u arrestuan për dhunimin e biznesmenit libanez, Faadi Mitri i cili kishte ardhur në Durrës për ndërtim, e u largua i plagosur nga Shqipëria.
Atentati ndaj 48-vjeçarit ndodhi mbrëmjen e sotme (18 Maj), ku një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të ' Maneci', i cili humbi jetën në spital.
Mësohet se ai kishte marrë dy plagë në trup, e për pasojë humbi dhe jetën.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për te bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

