Hajdutët e Bankers shantazhuan për të mos paguar 60 milionë USD taksa. Ja kush është implikuar në vjedhjen 5.5 miliardë euro

Hajdutët e Bankers shantazhuan për të mos paguar 60 milionë

Disa fakte dhe evidenca tregojnë se qeveria shqiptare ka ‘ulur brekët’ para grupit mafioz të Bankers Petroleum, duke tradhtuar interesin publik dhe bashkëpunuar me kinezët në plaçkitjen e pasurisë nëntokësore të shqiptarëve, në krime katastrofike mjedisore, mashtrim dhe korrupsion. Bankers, fillimisht në duart e kanadezëve dhe më pas kinezëve, është lejuar për 20 vite me radhë të vjedhë pasurinë nëntokësore të shqiptarëve.

Gjatë dy dekadave, të ardhurat e Bankers nga nxjerrja e naftës janë rreth 5.5 miliardë euro. Kompania ka paguar zero taksa, pasi çdo vit manipulon dhe fryn shpenzimet. Jo vetëm kaq. Por, Bankers kërkon edhe dhjetëra milionë euro rimbursim TVSH bazuar në faturat fiktive për fryrjen e shpenzimeve me Idajet Ismailjn, Behar Çukajn, Baki Sinajn, Artur Çobon etj., që të gjithë të lirë dhe duke shijuar dhjetëra milionë euro të vjedhura.

Hajdutët e Bankers shantazhuan për të mos paguar 60 milionë

Batërdia e Bankers është provuar nga disa raporte të KLSH. Është provuar nga AKBN, Albpetrol, nga disa vendime gjykatash të formës së prerë etj. Është konfirmuar nga dosje e fundit e Prokurorisë së Fierit. Dosja penale, e cila nuk përfshin kokat, por vetëm zbatuesit e skemës së vjedhjes, vjen në kohën kur kompanisë mafioze Bankers i mbaron kontrata me shtetin shqiptar. Pas 20 vite zhvatje, qeveria ka piketuar një tjetër kompani, ndoshta me të njëjtët përfitues fundorë, për të futur duart në nëntokën shqiptare.

Hajdutët e Bankers shantazhuan për të mos paguar 60 milionë

Në prill të vitit 2015, kryeministri Edi Rama paralajmëroi Bankers se nuk do të lejohej më të vidhte pasurinë nëntokësore të Shqipërisë.

“Këto 18 muaj na kanë mjaftuar për të bërë një analizë shumë të qartë, të një sistemi të korruptuar dhe zhvatësish e grabitësish që shtrihet në të gjithë zinxhirin. Bazuar në auditin ndërkombëtar, ne do të marrim edhe rezultatin e të gjitha problematikave që ka shteti shqiptar, dhe për çdo problematikë kompania do të vihet përpara përgjegjësisë si në SHBA, Gjermani apo Kanada. Ne nuk kemi luksin të mbyllim sytë apo të humbim qoftë edhe 1 litër naftë që nuk na e kanë dhënë të huajt dhe aq më tepër të na e marrin siç ju teket atyre. Ashtu si me universitetet na kanë lënë me kontrata fantazmë”, deklaroi Rama.

Mosmarrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankers nisi në vitin 2014, kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, (AKBN) institucioni që përfaqëson Shqipërinë në kontratën koncesionare, kreu një auditim të bilancit bankers dhe procedurave të prokurimit të kompanisë për vitin 2011 dhe konkludoi se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të kompanisë për këtë vit ishin të parregullta.

Në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, thuhet se Bankers duhet të derdhë në buxhetin e shtetit 60 milion dollarë tatim fitim, pasi përmes mashtrimit të bilanceve ajo ka deklaruar shpenzime të fryra dhe në shkelje të kontratës që ka me Shqipërinë. Për të shmangur taksat dhe fshehur fitimet, Bankers kishte sajuar 247 milion dollarë shpenzime.

Bazuar në auditimin e AKBN-së, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dorëzoi Bankersit një pretendim për 60 milionë dollarë taksa të papaguara.

Tatimet i bllokuan llogaritë kompanisë, e cila nuk pagoi kurrë taksa, pasi çdo vit manipulonte shpenzimet dhe kryente shpenzime të parregullta.

Kompania Bankers kërcënoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij me ndërprerjen e nxjerrjes së naftës dhe me procese në Arbitrazh. Në vend që kompania të sekustrohej dhe të ndiqej kudo në SHBA, Kanada dhe Kinë për zhvatjen e naftës me vlerë disa miliardë euro, mashtrime me pasoja të rënda dhe katastrofa mjedisore, Bankers kërcënoi hapur Edi Ramën.

Kompania paralajmëroi se nëse autoritetet shqiptare nuk do t’i zhbllokonin llogaritë ajo do të vazhdojë reduktimin e naftës së prodhuar deri në ndalimin e plotë të operacioneve të saj. Kërcënimi ishte si ai i hajdutit pasi e ke kapur duke të vjedhur në shtëpi.

Edi Rama iu përgjigj Bankersit, duke theksuar se: “Teksa qeveria mirëpret partnerët e huaj apo vendas, pasuritë kombëtare të Shqipërisë janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe as nuk mund të keqpërdoren, as mund të përdoren si kërcënim ndaj vendit. Të gjithë kompanitë që punojnë në Shqipëri, qofshin të huaja apo vendase, duhet t’u binden rregulloreve dhe ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare është e vetëdijshme për detyrimin dhe të drejtën e saj që të mos lejojë cenimin e integritetit afatgjatë të pasurive të çmuara të vendit“.

Por, pas këtij kërcënimi, pavarësisht kësaj deklarate, qeveria u tërhoq, ndërsa Bankers vijoi avazin e vjetër; Nxirrë naftë nga nëntoka shqiptare dhe mos paguaj taksa. Goditja do të vinte vetëm 10 vite më vonë, por me një kosto të fikshme për shtetin shqiptar, duke përfituar një rreth i ngushtë njerëzisht.

Bankers fsheh pronarin përfitues

Kulmi arrin kur Bankers jo vetëm nuk zbaton kontratën koncensionare dhe sajon shpenzime për të mos paguar tatim fitimin, por kompania nuk zbaton as ligjet e tjera shqiptare, siç është detyrimi ligjor për të deklaruar pronarët përfitues.

Kompania fsheh pronarët përfitues pas disa numrave dhe kodeve, duke ngritur dyshime të forta dhe veshur me përgjegjësi penale edhe QKB.

Duke fshehur pronarët përfitues, ngrihen dyshime se pas Bankers mund të fshihet edhe ndonjë politikan shqiptar dhe se paratë mund të ndahen në ofshore sipas roleve në zhvatjen 20-vjeçare të naftës shqiptare.

Shoqëria mëmë e Bankers Petroleum Albania Ltd, e themeluar në 15.04.2004 në parajsën fiskale ishujt Cayman, është BANKERS PETROLEUM INTERNATIONAL LIMITED.

Ndërkaq kompania mëmë e BANKERS PETROLEUM INTERNATIONAL LIMITED është BANKERS PETROLEUM LTD e regjistruar në Kanada.

Kompania mëmë e BANKERS PETROLEUM LTD është kompania CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED e themeluar në dhjetor 2015 në Hong Kong.

Kompania mëmë e CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED është GEO-JADE PETROLEUM CORPORATION e regjistruar dhe me qendër në Kinë.

Se kush është pronari i CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED nuk dihet. Mund të jetë në Kinë, në Dubai ose në Tiranë.

Në vend të pronarëve janë deklaruar disa numra:

Pronari I: 91310000MA1K335
Pronari II: 91330206MA281NW
Pronari III: 911201187916984

Shqiptarët vidhen, por nuk e dinë se kush i vjedh. Ligjet shqiptare e detyrojnë Bankers t’a deklarojë pronarin fundor, por Bankers nuk pyet për ligje dhe shtet.

Anila Denaj bllokoi ekzekutimin e gjobës 100 mln euro ndaj Bankers Petroleum

Në korrik të 2019-s, kur administrata doganore kishte aktivizuar përmbaruesit për mbledhjen e gjobës prej 80 milionë eurosh të vendosur ndaj Bankers Petroleum, një ‘urdhër nga lart’ pezullon procedurat.

Urdhri i dalë nga zyra e Anila Denajt, në atë kohë ministre e Financave dhe e Ekonomisë, që ka në varësi Drejtorinë e Doganave dhe Tatimeve justifikohej me gjoja ‘kompleksitetin e çështjes, si sa i takon volumit të dosjes, ashtu edhe të shumës që duhej mbledhur’.

“Nga shqyrtimi i materialeve…rezulton se kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndësishem dhe të ndërlikuar, qoftë nga shifra e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore…Për sa më sipër, autoriteti doganor të procedojë me pezullimin e procedurës”, thuhet në vendimin e ministres Denaj.

E thënë më thjesht, ministrja urdhëroi doganat që të ndalin ekzekutimin e gjobës 80 mln euroshe ndaj Bankers Petroleum me arsyetimin se gjoba ishte shumë e madhe dhe se problemi ishte shumë kompleks.

Nga letërkëmbimi mes Bankers dhe Doganave, problemi nuk ka qenë edhe aq kompleks sa thotë ministrja. Bankers është kapur në shkelje të ligjit duke shmangur akcizën për holluesit e karburanteve.

Vlera e taksës së shmangur ishte rreth 25 milionë euro dhe sipas ligjit, Bankers gjobitej me trefishin e shumës, që shkonte në total rreth 80 mln euro.

Gjykata e Lartë rrëzoi vendimet e dy gjykatave më të ulta dhe la në fuqi gjobën, e cila bashkë me kamatëvonesat dhe penalitetet e tjera që i shtohen ka shkuar në thuajse 100 mln euro.

Administratorët e Bankers 1 milionë euro rrogë në vit vetes

Ish administrator i Bankers kinezi Huanqin Xiau, dora e zezë që manipuloi shpenzimet e kompanisë vitet e fundit për të mos paguar taksa, i kishte vendosur vetes një pagë rreth 1 milionë euro në vit. Paga e tij doli zbuluar pas publikimit të listës së pagave nga hakersat.

Më parë drejtor ka qenë Qing Fang. Në vend që të arrestohej për krim ekonomik me pasoja katastrofike për shtetin shqiptar, Qing Fang fliste për përhapjen e dijeve dhe kulturës kineze në Shqipëri, sidomos për mësimin e gjuhës kineze.

Para Qing Fang, administrator ka qenë Xingyun Sun, i cili ka ndjekur të njëjtën praktikë, duke fryrë shpenzimet dhe shmangur pagesat në buxhetin e shtetit shqiptar. Sun është emëruar administrator në vitin 2018

Para vitit 2018, administratorë kanë qenë Suneel Krishan Gupta, Leonidha Cobo dhe Richard Ferguson. I vetmi administrator shqiptar ka qenë Leonidha Cobo, i akuzuar nga vetë Bankers për vjedhje miliona euro, për të mbuluar vjedhje të tjera.

Çobo, i arrestuar disa ditë më parë, ka vjedhur me fatura fiktive dhe sistem bankarë mbi 100 milionë euro. Çobo ka bashkëpunuar në vjedhje me Jonathan Paul Harris.

Aktualisht, administrator i Bankers është kinezi Hongping Xiao, i cili ka vijuar skemën e vjedhjes deri kur u arrestua disa ditë më parë. Hongping Xiao u emërua administrator nga pronarët e fshehtë të Bankersit në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Fierit, kinezi i radhës, në harkun kohor të disa muajve, ka vjedhur dhjetëra milionë euro./ Prapaskena

EMISIONET