Aksioni në Vlorë / Malësia: Lëvizje pozitive në kulmin e fuqisë, por institucionet janë të korruptuara, nuk sjellin zgjidhje
I ftuar në emisionin “Drejt” në “Ora News”, gazetari Xhoi Malësia komentoi aksionin në Vlorë, duke e cilësuar si një lëvizje politike të mirëmenduar nga kryeministri, e cila ndodh në kulmin e fuqisë së tij politike, por që sipas tij nuk mund të zëvendësojë rolin afatgjatë të institucioneve.
" Duhet që të kemi parasysh që është ndërhyrja e dytë e kësaj natyre. Ka pasur një ndërhyrje të ngjashme në mandatin e parë të kryeministrit Rama. Pse tani? Sepse një ndërhyrje e tillë prek interesat e njerëzve që kanë një lloj influence.
Nuk besoj se do të kishte dëshirë ta bënte këtë gjë para zgjedhjeve sepse mund të shkaktonte zemëratë tek votues potencial.
E ka njohur situatën më parë, por Rama e bën këtë lëvizje në momentin më të lartë politik. Është me 83 mandate në Parlament, ka shumicën dominante të bashkive.
Për mua është një lëvizje pozitive për shkak se është e vërtetë që institucionet krijojnë një lloj dobësimi në rast se nuk ka një aksion. Unë nuk besoj tek aksionet si një zgjidhje afatgjatë sepse ç'kuptim kanë institucionet.
Për institucionet kemi vënë re dhe të gjithë jemi në dijeni që bëhen me anë të korrupsionit. Këto ndërhyrje bëhen me anë të zaptimit, bëhen në forma nga më të ndryshme, bëhen nga i forti i lagjes, bëhen nga elementë të cilët japin vetes të drejtën për të zaptuar diçka që na përket të gjithëve.
A është e drejtë të vijë kryeministri? Nuk shoh ndonjë mëkat të madh. Nuk është se po merr rolin e kryetarit të bashkisë dhe duhet të kujtojë që edhe pushteti ekzekutiv ka atribute në raport me kontrollin e territorit sepse praktikisht kemi të bëjmë dhe me një dëm që i shkaktohet territorit për zonat e mbrojtura, për zonat ku nuk lejohen godina të tilla dhe ku abuzohet me lejet që i jepen dhe nga bashkia për shfrytëzimin nga ana e bizneseve. Paguhet një kuotë për tavolinat jashtë, por unë kam përshtypjen që duhet të gjendet edhe një balancë që mos shkoj përtej prekjes së normalitetit të çdo elementi që kërkon një jetesë normale në një qytet të urbanizuar", u shpreh Malësia.

