Grabiti dhe plagosi çiftin e biznesmenëve në Allias, ekstradohet nga Kosova Markeljan Cungu

24-vjeçari i cili plagosi me armë Petrit dhe Afërdita Lazen gjatë grabitjes u arrestua në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.
Grabitësit e kishin mirëmenduar planin për t’u futur në banesën e çiftit Laze si dhe kishin piketuar vendin ku mbanin lekët.
Me vete kanë pasur një automatik dhe një pistoletë dhe për shkak se janë ndjerë nga pronari i shtëpisë, mes dy grabitësve dhe Petrit Lazes ka filluar përleshja në korridorin e shtëpisë. Sipas policisë Cungu, ka qëlluar me automatik në drejtim të Petrit Laze, duke e plagosur rëndë me një plumb në bark, ndërsa më pas edhe bashkëshorten.
Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 25 vite burg për disa vepra penale, si vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje dhe plagosje me armë. Për ngjarjen është dënuar edhe bashkëpunëtori i tij Fatjon Mertënikaj.
Skema që përdorën autorët për të hyrë në banesën bashkëshortëve biznesmenë
Grabitësit e kishin mirë-menduar planin duke studiuar rrugën që duhet të ndiqnin ndërsa kishin dijeni edhe për vendin ku ata mbanin lekët.
Intinerari që ndoqën ishte e vetmja pa monitorim me kamera sigurie për në banesën e çiftit Laze.
Autorët përdorën depozitat si shkallë për tu ngjitur në murin rrethues të banesës. Pasi kanë mbërritur në oborrin pasmë të vilës, janë ngjitur në katin e dytë duke shmangur zonën që monitorohej me kamera sigurie.
“Ishim në dhomë. Dëgjuam një zhurmë dhe vajzën që bërtiti "kush është aty?". Doli Petriti të shihte kur u ndesh në korridor me 2 veta të maskuar. Dukeshin të rinj. Ata bërtisnin vetëm "lekët, lekët" dhe i drejtuan pistoletën. Petriti tentoi ti nxirrje jashtë nga shtëpia ata e qëlluan. Kur u afrova dhe mua më qëlluan dhe ikën me vrap” tregoi gruaja asokohe.





