GJENDET I PAJETË ISH-DREJTUESI I GARDËS/ 55-vjeçari vuante nga demenca dhe ishte shpallur i humbur

Flamur Kolmarku, ish-ushtarak karriere dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës, dyshohet të jetë personi i gjetur i pajetë në lumin Mat. 55-vjeçari ishte raportuar i humbur prej disa ditësh pas largimit nga banesa e tij në Tiranë. Trupi u gjet në fshatin Zenisht të Burrelit dhe u transportua drejt Tiranës për ekspertizë mjeko-ligjore. Identifikimi zyrtar pritet të konfirmohet nga autoritetet.

Ish-ushtaraku i karrierës dhe ish-drejtuesi i Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, dyshohet të jetë personi i gjetur i pajetë në ujërat e lumit Mat, në fshatin Zenisht të Burrelit. Trupi u konstatua nga banorët e zonës, të cilët njoftuan menjëherë policinë.

Në vendngjarje mbërritën forcat e rendit dhe ekipet mjekësore, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e trupit nga lumi dhe transportimin e tij drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Sipas të dhënave paraprake, viktima është një mashkull rreth 55 vjeç, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet të kryhet përmes ekspertizës.

Flamur Kolmarku ishte raportuar i humbur prej disa ditësh, pasi ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë pa lënë gjurmë.

Familjarët dhe miqtë kishin nisur menjëherë kërkimet dhe kishin bërë thirrje publike për ndihmë në gjetjen e tij.

Sipas familjes, Kolmarku vuante nga demenca dhe kishte probleme të theksuara me kujtesën, gjendje që kishte shtuar shqetësimin për fatin e tij.

Mjekët që e kishin trajtuar kishin vlerësuar se ai mund të ishte drejtuar drejt zonave ku kishte jetuar më herët, pasi në raste të tilla pacientët shpesh rikthehen te kujtimet e fëmijërisë.

Për herë të fundit, 55-vjeçari ishte raportuar në lëvizje nga Bulqiza drejt Burrelit dhe më pas në aksin Burrel–Urakë.

Flamur Kolmarku shërbeu për më shumë se dy dekada në Gardën e Republikës, duke mbajtur pozicione drejtuese dhe duke qenë pjesë e strukturave të sigurisë së institucioneve më të larta shtetërore.

Autoritetet po vijojnë hetimet, ndërsa shkaku i vdekjes dhe identiteti i viktimës do të përcaktohen pas ekspertizës mjeko-ligjore.

EMISIONET