Furgoni me arsenal a*mësh/ Mjeti mbante logon e një kompanie ndërtimi dhe elementë sinjalistike për t’u kamufluar
Në kuadër të operacionit policor të koduar “The Van”, gjatë të cilit u sekuestrua një arsenal armësh të trafikuara, hetuesit kanë zbuluar se mjeti i përdorur për transportin e armëve ishte një furgon i pajisur me logon e një kompanie ndërtimi dhe me elementë që imitonin sinjalistikën rrugore, me qëllim maskimin e veprimtarisë së paligjshme.
Në pamjet e siguruara nga vendngjarja, shihet se në xhamin ansor të furgonit ndodhej logoja e kompanisë “Gener 2”, ndërsa në pjesën e sipërme të mjeti kishte mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, një kamuflim duket ky nga trafikantët është në emër të të arrestuarit Eugert Sino.
Ky i fundit i marë mbrëmjen e djeshme në pyetje nga policia ka mohuar të ketë lidhje me armët me argumentin se nuk ka djeni kush i ka futur aty, në një kohë që furgoni qëndronte i parkuar pranë banesës së tij.
Ky kamuflim dyshohet se ishte menduar për të shmangur kontrollet dhe tërheqjen e vëmendjes, ndërkohë që në brendësi të mjetit u gjetën 23 armë zjarri, përfshirë 5 snajperë, silenciatorë, municion luftarak, pajisje për shpërthime në distancë, si dhe uniforma të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Kujtojmë se sipas informacioneve arsenali i armëve dyshohet se vjen nga Kosova dhe ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga një grup kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e “Myslym Shyrit”, edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në po të njëjtën zonë në afërsi. Armët e kapura janë relativisht të reja, dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova, por nuk kanë lidhje me goditjet e mëparshme që janë bërë për trafik armësh. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit.
I arrestuari Eugert Sino, rezulton me precedent të mëparshëm për vepra penale të ndryshme.

Njoftimi:
Punë profesionale parandaluese dhe goditëse kundër armëmbajtjes pa leje dhe kundër trafikimit të armëve që do të shërbenin për të kryer krime kundër jetës dhe pronës.
Në përfundim të operacionit policor të koduar “The Van”, të finalizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u zbulua dhe u godit një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda ka falënderuar drejtuesit dhe strukturat e DVP Tiranë për finalizimin me sukses të operacionit, si dhe për punën shumë të mirë dhe profesionale në drejtim të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve që mund të përdoreshin për kryerjen e krimeve kundër jetës dhe pronës.
Ilir Proda: “Ky është një tjetër operacion i suksesshëm që tregon profesionalizmin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të goditur krimin dhe garantuar sigurinë e qytetarëve. Armët prodhojnë krim, çdo armë e paligjshme është një rrezik real për jetën e qytetarëve dhe për rendin publik.
Falënderoj drejtuesit e DVP Tiranë dhe të gjithë efektivët që punuan me përkushtim dhe profesionalizëm duke bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale që do të kryheshin me këtë arsenal armësh.
Policia e Shtetit nuk do të ndalet asnjë ditë në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve, pasi çdo armë e paligjshme është një potencial për krim.
Iu bëj thirrje qytetarëve që të mbështesin punën e Policisë së Shtetit, duke bashkëpunuar dhe duke denoncuar çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike.
Çdo informacion që ndihmon Policinë për parandalimin apo goditjen e krimeve është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë e përbashkët.
Vetëm përmes bashkëpunimit të ndershëm dhe besimit të ndërsjellë mes Policisë dhe qytetarëve mund të ndërtojmë një mjedis akoma e më të sigurtë për të gjithë.”
-Gjatë operacionit “The Van” u sekuestruan 23 armë zjarri (prej të cilave 5 snajperë), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.


