Fredi Beleri del para gjykatës në Vlorë/ DASH i përgjigjet gazetarëve grekë: Autoritetet të zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, për Himarën dhe Pandeli Kokaveshi dalin para gjykatës së Vlorës për t’u njohur me masën e sigurisë, pas arrestimit të tyre një ditë më parë me dyshimin se po kryenin shit-blerje votash në Himarë.
Seancat pritet të mbahen në orën 11:00 ndërsa do të trajtohen të ndara nga njëra-tjetra.
Gjyqtarja e kësaj çështjeje është Dorina Stroka, ndërsa avokat mbrojtës i Kokoveshit është Edmond Dema dhe avokat mbrojtës i Fredi Belerit, është Romario Meminaj.
Reagimi i DASH-it
Gazetarët grekë në Uashnignton kanë apeluar çështjen e arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, për Himarën në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Një përfaqësues i DASH, është shprehur që vazhdimisht është kërkuar prej tyre që votuesit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sakaq, u kanë bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
“Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga autoritetet dhe partitë politike që të sigurojnë që votuesit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat që rregullojnë zgjedhjet, si dhe rregullat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave.
U bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
Zyrtarët e ambasadës amerikane po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare për të monitoruar zgjedhjet në të gjithë vendin” tha Departamenti i Shtetit.