Fortifikohet Kryeministria, Këlliçi: E panevojshme, protesta do jetë paqësore, qëllimi politik largimi i Ramës

Kryeministria nisi mbrëmjen e sotme fortifikimin e dyerve dhe dritareve në pritje të protestës së ditës së nesërme të thirrur nga PD.

Por deputeti Belind Këlliçi i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma i konsideroi fare të panevojshme masa të tilla, duke paralajmëruar një protestë qytetare dhe paqësore.

Ai madje ftoi nënat të dalin në protestë me karrocat me fëmijë.

Këlliçi: Shyqyr ka hequr këpudhën Edi Rama se e ka merak. Por protesta do të jetë paqësore. Nuk ka nevojë ti blindojë. Nesër ne kemi ftuar qytetarët të vijnë në shesh për të protestuar për arsyet ekonomike që kanë, i kemi  ftuar me fëmijët e tyre, me karroca me fëmijë, me prindërit, me të moshuarit vëllezër e motra. Nesër është një ritakim i qytetarëve me sheshin e protestës, me opozitën. Nesër është pikënisja e sezonit të ri të protestave të udhëhequra nga opozita. Opozita rikthehet në misionin e saj, në të bërit opozitë dhe përfaqësimin e qytetarëve. Kjo protestë është thirrur nga PD por është një ftesë për gjithë qytetarët shqiptarë për të ardhur për tu bashkuar. Dita e nesërme është një sfidë për PD, për të fituar besimin dhe zemrat e qytetarëve. Një ftesë për qytetarët për të rinisur një rrugëtim sëbashku që padiskutim ka si qëllim politik largimin e Edi Ramës.

Protesta e opozitës nis nesër në orën 19:00 para Kryeministrisë dhe është lajmëruar se do të mbyllet në 21:00.

EMISIONET