Dom Mark Pashkja: Me atë martesë, Bashkia abuzoi me ligjin. Prifti në ceremoni, i përjashtuar nga Kisha. Një bashkim i tillë s'mund të dhurojë jetë
Dom Mark Pashkja, zëdhënësi i ri i ipeshkvijve të Shqipërisë i ftuar në emisionin “Drejt” të moderuar nga Luan në ekranin e “Ora News”, renditi abuzimet që u shënuan në aktin e martesës të dy grave të komunitetit LGBTQIA+ në tarracën e Bashkisë së Tiranës pak ditë më parë.
“Kemi reaguar, madje fuqishëm, pasi këtu është bërë një lojë fjalësh në mënyrë të tmerrshme, për faktin sepse të gjitha fjalët që janë përdorur nuk kanë ekzistuar asnjëra.
Së pari, është përdorur fjala “martesë”. Kjo nuk ishte një martesë si nga pikëpamja legale apo juridike, pasi Kodi i Familjes nuk e njeh një martesë të tillë, apo këtë lloj bashkim, aq më tepër edhe nga pikëpamja fetare.
Në këtë ceremoni më shumë se një martesë ka pasur një abuzim shumë të madh. Së pari një abuzim me ligjin, sepse bashkia e Tiranës është vënë në dispozicion të një eventi të jashtëligjshëm.
Abuzimi i dytë ka të bëjë me fenë, sepse nëse i referoheni imazheve që u transmetuan atje ishte një person i veshur si prift. Personi në fjalë buron nga kishat metodike, por që figuron si një person që është i përjashtuar nga Kisha pikërisht për këto qëndrime. Dhe e dyta vjen në një vend ku abuzon me simbolet e Kishës Katolike.
Abuzimi i tretë ka të bëjë me rastin e fëmijëve që janë në moshë minore dhe ne vetë nuk kemi të drejtë t’i përgojojmë.
Dhe mbi të gjitha këtu nuk kemi të bëjmë me një kulturë, por janë fenomene periferike që duan të imponohen si kulturë.
Sepse një burrë dhe një grua kur bashkohen realizojnë një gjë hyjnore që është jeta. Por një bashkim i tillë nuk mund të dhurojë jetë”, theksoi ndër të tjera Dom Mark Pashkja.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT”