Dogji mbeturinat duke shkaktuar zjarrin në Malin e Shëngjinit, vihet në pranga autori

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë malin e Shëngjinit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore, ndërsa policia ka arrestuar në flagrancë një 57-vjeçar si autor të dyshuar të ngjarjes.

Sipas Policisë së Lezhës, shtetasi Bashkim Aliaj, dyshohet se më 03 korrik, në zonën e quajtur “Sagë”, ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur me shpejtësi në masivin pyjor të malit të Shëngjinit.

Gjatë përhapjes së zjarrit është regjistruar edhe një shpërthim në terren, i dyshuar si pasojë e aktivizimit të një predhe të pashpërthyer, e cila ka shpërthyer nga temperaturat e larta. Si pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi A. U., 30 vjeç, që ndodhej në një automjet në lëvizje në zonë. Ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se në subjektin e të dyshuarit është hequr DVR-ja e kamerave të sigurisë, veprim që dyshohet se është kryer për të penguar hetimin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, policia ka arrestuar 57-vjeçarin, i cili akuzohet për disa vepra penale, përfshirë “Shkatërrim prone nga pakujdesia”, “Shkatërrim nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

I vuri zjarrin mbeturinave dhe tentoi të fshihte provat, pasi zjarri përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore
në malin e Shëngjinit, falë reagimit dhe veprimeve të shpejta identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i zjarrvënies.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në zonën e Shëngjinit, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë një shtetas 57-vjeçar.

Ky shtetas dyshohet se më datë 03.07.2026, në vendin e quajtur “Sagë”, Shëngjin, ka ndezur zjarr për djegien e disa mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë dhe djegur sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit.

Gjithashtu, gjatë përhapjes së flakëve, në terren ka ndodhur një shpërthim, i dyshuar si i shkaktuar nga një predhë luftarake e pashpërthyer, e cila ka shpërthyer si pasojë e zjarrit në zonën malore. Si pasojë është dëmtuar shtetasi A. U., 30 vjeç, i cili ndodhej si pasagjer në një automjet që ishte në lëvizje në zonë. Ai ka marrë menjëherë ndihmën mjekësore dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ka rezultuar se nga ana e shtetasit të dyshuar është hequr DVR-ja e subjektit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi B. A., 57 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor” dhe “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.

Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

EMISIONET