Bllokohet pika kufitare e Morinës, kolona kilometrike në kufirin me Shqipërinë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës njoftoi se në pikën kufitare të Morinës janë krijuar kolona të gjata automjetesh këtë të shtunë, në një ditë kur në Tiranë do të mbahet protesta mbarëkombëtare.
Sipas njoftimit, radhët në dalje të Kosovës kanë arritur deri në 3.5 kilometra, ndërsa shkak i vonesave janë procedurat e regjistrimit të hyrjes së qytetarëve nga autoritetet shqiptare.
“Ju informojmë se sot, nga ora 04:00 e në vazhdim, në dalje të Republikës së Kosovës janë krijuar kolona të gjata, afërsisht 3.5 kilometra, pasi autoritetet shqiptare janë duke regjistruar hyrjen e qytetarëve”, njoftoi Qendra për Menaxhim Kufitar.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare lidhur me arsyet e këtyre kontrolleve apo vonesave. Ndërkohë, pritjet në kufi kanë prekur qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë, si për pjesëmarrje në protestë, ashtu edhe për arsye të tjera.

