111 vite burg për serat e kanabisit! GJKKO dënon 17 anëtarët e grupit kriminal të kanabisit (EMRAT)
Gjykata e Posaçme dënoi me gjithsej 111 vite e 8 muaj burg 17 anëtarët e një grupi kriminal që kultivonte kanabis në sera në Berat. Hetimet e SPAK zbuluan një organizim të strukturuar, me parcela të marra me qira, infrastrukturë të posaçme dhe punëtorë të rekrutuar për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me një total prej 111 vitesh e 8 muaj burg 17 anëtarët e një grupi të strukturuar kriminal, të akuzuar për kultivimin e kanabisit në sera në fshatin Rërëz të Beratit gjatë vitit 2022.
Dënimet më të larta u dhanë për dy drejtuesit e grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xhekën, të cilët u dënuan me nga 8 vite e 8 muaj burg për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Kultivimi i bimëve narkotike", "Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve" dhe "Grup i strukturuar kriminal". Me nga 6 vite e 8 muaj burg u dënuan shtatë të pandehur të tjerë, ndërsa pjesa tjetër mori dënime prej 5 vitesh e 4 muaj burg. Për Drita Memën dhe Izmire Memën, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me 4 vite burg dhe vënien në shërbim prove për 3 vite, pasi të dyja u shpallën të pafajshme për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, grupi kriminal përbëhej nga persona nga Malësia e Madhe, Kuçova dhe Berati, të cilët bashkëpunuan për marrjen me qira të tokave bujqësore dhe ngritjen e një infrastrukture të posaçme për kultivimin e kanabisit. Ata rekrutuan edhe gra nga Berati si fuqi punëtore për mirëmbajtjen e serave.
Hetimet zbuluan se të pandehurit kishin marrë me qira disa parcela në fshatin Rërëz, ku ndërtuan katër sera për kultivimin e bimëve narkotike. Për funksionimin e aktivitetit ata instaluan linja furnizimi me ujë dhe energji elektrike, ndërsa në ambientet e serave kishin ngritur edhe fjetore me 81 dyshekë me ajër për personat e angazhuar në kultivim.
Operacioni i SPAK zbuloi një organizim të mirëfilltë kriminal, me role të përcaktuara për drejtimin, kultivimin dhe ruajtjen e parcelave, çka çoi në dënimin e 17 të pandehurve për veprat penale që lidhen me kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.
TABELË
Sadetin Hasaj - 8 vjet e 8 muaj burgim
Blerim Xheka - 8 vjet e 8 muaj burgim
Sidrit Bisha - 6 vjet e 8 muaj burgim
Suad Smakaj - 6 vjet e 8 muaj burgim
Jurgen Ujkaj - 6 vjet e 8 muaj burgim
Samoel Lushaj - 6 vjet e 8 muaj burgim
Endriol Xheka - 6 vjet e 8 muaj burgim
Mirvaldo Disha - 6 vjet e 8 muaj burgim
Hamdi Dyli - 6 vjet e 8 muaj burgim
Arben Vrapi - 5 vjet e 4 muaj burgim
Adiol Çifliku - 5 vjet e 4 muaj burgim
Lulzim Bushataj - 5 vjet e 4 muaj burgim
Mustaf Manej - 5 vjet e 4 muaj burgim
Bashkim Mema - 5 vjet e 4 muaj burgim
Edison Mema - 5 vjet e 4 muaj burgim
Drita Mema - 4 vjet burgim (me pezullim të ekzekutimit dhe 3 vjet shërbim prove)
Izmire Mema - 4 vjet burgim (me pezullim të ekzekutimit dhe 3 vjet shërbim prove)

