DETAJET/ Ish-drejtoresha e Kadastrës Durrës pastronte paratë e dy vëllezërve të dënuar në Belgjikë për drogë

Një biznesmen në Fier është vënë në pranga nga spak dhe ish drejtoresha e kadastrës së Durrësit është vendosur nën masën e arrestit pasi dyshohet se kanë ndihmuar dy persona të pastrojnë paratë në shqipëri. Bëhet fjalë për procesin e nisur ndaj vëllezërve Besian dhe Leonard Ramaj që rezulton se janë hetuar dhe dënuar në belgjikë për trafik të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit të strukturës së posaçme janë sekuesteruar 12 apartamente në Fier, 4 banesa dhe 3 garazhe në Tiranë  si dhe 27 llogari bankare.

Po ashtu është sekuestruar edhe një shoqëri tregtare që i përket biznesmenit Ardian Malasi në Fier.

Dyshimet janë për krijimin e një skeme për pastrimin e parave përmes grupit të strukturuar. Ku dy vëllezërit bënin pagesat, firma kalonte dokumentet e pronësisë që më pas regjistroheshin në kadastër.

Për këtë qëllim ish drejtoresha e kadastres së Durrësit, Raimonda Dashi është ndaluar prej tre oficerëve të policisë gjyqësore në zyrën e saj në hipotekën e Vorës ku edhe punonte si specialist. Po ashtu menjëherë asaj I është sekuestruar edhe celulari I cili do të verifikohet më tej nga BKH. Zyrtarja e shtetit është lënë gjithësesi në masën e arrestit në shtëpi

“Veprimet e tyre kanë konsistuar në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme, fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, thuhet në deklaratë.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e akteve te dërguara nga autoritetet e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës ka regjistruar procedimin penal nr. 18, të vitit 2023, për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorine e Përgjithme të Policisë së Shtetit rezulton se shtetasit shqiptarë B. R dhe L. R (vëllezër), të dënuar nga autoritetet Belge të Drejtësisë për vepra penale të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti në bashkëpunim të veçantë me personat nën hetim A.M dhe R.D kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Veprimet e tyre kanë konsistuar a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme, b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.

Në kuadër të këtij hetimi është kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masave të sigurimit personal shtrëngues për personat nën hetim.

Gjykata me vendimin nr. 114, datë 24.10.2023 ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga nenet 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit B.R; L.R: A.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal dhe masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasen R.D, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 26.10.2023 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata ndaj shtetasve A.M. dhe R.D.

Gjithashtu gjatë hetimit janë identifikuar pasuritë dhe veprimet juridike të kryera mbi këto pasuri, ku është kërkuar sekuestrimi i pasurisë sipas ligjit Nr. 10 192, datë 3.12.2009, i ndryshuar, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 29, datë 23.10.2023 ka vendosur sekuestrimin për pasuritë e mëposhtme:

12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;

4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;

3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;

\27 (njëzetë e shtatë) llogari bankare;

Një shoqëri tregëtare;

2 (dy) automjete;

Hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera. 

elton qyno rajmonda dashi besian ramaj leonard ramaj ardian malasi

EMISIONET